Ligji për përdorimin e gjuhëve: Për gjashtë muaj institucionet në Maqedoni duhet të flasin në gjuhën shqipe
Me hyrjen në fuqi të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, institucionet e pushteti ekzekutiv, legjislativ, gjyqësorit dhe të vetëqeverisjes lokale, do të flasin edhe në gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve – gjuhën shqipe. Nëse e njëjta nuk ndodh me tabelat deri pas gjashtë muajve, dhe me aktet nënligjore deri pas një viti, parashihet gjobë deri më 5.000 euro për institucionet, kurse 1.500 euro për personat përgjegjës, transmeton Portalb.mk.
Ku shqiptarët janë në përbërje mbi 20%, në cilëndo procedurë të parashtruar dhe të zbatuar, nenet 1, 2, 3, 4, 5 dhe 6 parashohin që funksionarët shqiptarë gjatë udhëheqjes me seancave të Kuvendit të Maqedonisë, të Qeverisë së Maqedonisë, të komisioneve kuvendare, të kolegjiumeve të përgjithshme, në mbledhjet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe të komisioneve komunale të zgjedhjeve, të emërohen dhe flitet në gjuhën shqipe.
Ligji për përdorimin e gjuhëve parasheh edhe stenogramet dhe materialet e tjera punuese dhe të miratuara në Kuvendin e Maqedonisë, të jenë në gjuhën shqipe.
Paragrafi 7, i nenit 6 parasheh: Ueb faqet e institucioneve nga neni 1 i këtij ligji dhe përmbajtja e ueb faqeve krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj, detyrimisht publikohen edhe në gjuhën shqipe.
Ku shqiptarët janë në përbërje mbi 20%, në gjuhën shqipe do të jenë edhe: emri i rrugës, sheshit, urës dhe i objektit tjetër infrastrukturor në të gjitha njësitë e vetëqeverisjes, vendkalimet kufitare të Republikës së Maqedonisë, aeroportet, kartëmonedhat, monedhat, pullat postare, fletëpagesat, raportet fiskale të lëshuara nga institucionet, uniformat e policisë, uniformat e zjarrfikësve, uniformat e shëndetësisë, në procedurat para noterit, dokumentet noteriale dhe verifikimet, në procedurat para përmbaruesit, evidencat e amzës në Shkup, aktvendimet, certifikatat, vërtetimet, dokumentet personale dhe dokumentet e udhëtimit të qytetarëve.
Neni 9, paragrafi 5 thotë: Mossigurimi i përkthimit të të gjitha dokumenteve dhe materialeve të nevojshme, përkatësisht mossigurimi i përkthimit simultan gjatë tërë kohëzgjatjes së procedurës paraqet shkelje esenciale të procedurës.
Ligji parasheh marrje të dokumenteve në gjuhën shqipe, por me kërkesë personale
Sipas nenit 13, me kërkesë personale, në gjuhën shqipe do të shkruhet edhe formulari i letërnjoftimit, formulari i dokumentit të udhëtimit dhe fletudhëtimi, të dhënat që shënohen në dokumentin e udhëtimit dhe në fletudhëtimit.
Sigurimi i zbatimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve: Formohen dy institucione
Për realizimin e qëllimeve të këtij ligji, për promovimin, mbrojtjen dhe zbatimin e barabartë të gjuhës shqipe do të themelohet Agjencia për Zbatimin e Gjuhës Shqipe me cilësinë e personit juridik, kompetente për standardizimin dhe përdorimin e barabartë të gjuhës shqipe me trupat ndihmëse për mbështetjen e institucioneve. Drejtori i Agjencisë do të përzgjidhet nga Qeveria e Maqedonisë, me mandat prej 4 vjetë. Do të punësohen linguistë dhe filologë të diplomuar të gjuhës shqipe, si dhe lektorë të licencuar.
Për mbikëqyrje mbi zbatimin e plotë dhe konsekuent të dispozitave të këtij ligji që kanë të bëjnë me përdorimin e gjuhëve, themelohet Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, në përbërje të Ministrisë së Drejtësisë me cilësi të personit juridik. Parimet, kompetenca, organizimi i inspektimit dhe procedurat e mbikëqyrjes inspektuese të Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve rregullohen me ligj të veçantë.
Moszbatimi i gjuhës shqipe: Gjobë deri më 5 mijë euro
Neni 22 parasheh edhe gjobë ndaj subjekteve të cilët nuk do ta zbatojnë gjuhën shqipe. Gjoba do të arrijë vlerën prej 4.000 deri në 5.000 euro në kundërvlerë me denarë për kundërvajtje do t’u shqiptohet organeve të theksuara. Me gjobë prej 30% të gjobës prej 4000-5000 euro, do t’i shqiptohet personit zyrtar dhe personit
përgjegjës.
Zbatimi i gjuhës shqipe: Emërtimi i institucioneve për gjashtë muaj, aktet nënligjore për një vit
Neni 23 parasheh që në afat prej një viti nga dita e hyrjes në fuqi e këtij ligji, të gjitha institucionet kompetente obligohen që t’i miratojnë aktet nënligjore për zbatimin e këtij ligji dhe dispozitat e ligjeve tjera harmonizohen me dispozitat e këtij ligji. Kurse në afat prej gjashtë muaj nga dita e hyrjes në fuqi e këtij ligji, institucionet obligohen të emërtohen edhe në gjuhën shqipe.
Përndryshe, pas një viti miratim në Kuvendin e Maqedonisë, Ligji për përdorimin e gjuhëve, me të cilin parashihet përdorim i gjerë i gjuhës shqipe, është publikuar dje në Gazetën Zyrtare. Zvarritja e fuqizimit të ligjit ka ardhur si rezultat se presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov nuk pranoi ta dekretojë të njëjtin edhe pas votimit të dytë në Kuvendin e Maqedonisë, më 14 mars të vitit 2017-të. Për mosdekretim të ligjit edhe pas votimit të dytë, Prokuroria Publike Themelore ka hapur lëndë për presidentin e shtetit, Gjorge Ivanov në të cilën do të veprohet për dy padi penale.