Site icon PORTALB

Në Kosovë i vështirë komunikacioni për shkak të borës

Foto:Zülfiya Yakup/AA

Në Kosovë, të gjitha rrugët kryesore janë të kalueshme, edhe pse për shkak të borës që pandërprerë bie për më shumë se 24 orë trafiku është i vështirësuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Infrastrukturës së Kosovës njoftoi se pavarësisht kushteve të këqija të motit, reshjet e vazhdueshme të borës dhe acarit, është duke punuar në terren për të siguruar kushtet për komunikacion. Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, u bëri thirrje të gjithë shoferëve për kujdes shtesë, përshtatje të makinës në kushtet atmosferike dhe përdorimin e detyrueshëm të pajisjeve të dimrit.

Edhe në kryeqytet të gjitha rrugët janë të kalueshme, por për shkak të sasisë së madhe të borës dhe trotuareve të papastruara qytetarët kanë vështirësi të mjaftueshme në qarkullim.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, njoftoi se të gjitha kompanitë e angazhuara me kapacitet të plotë punojnë në pastrimin e rrugëve.

“Prishtina ka 2,200 rrugë dhe dëbora pastrohet vazhdimisht. Megjithatë, për shkak të reshjeve të mëdha, trafiku është i vështirë”, shkroi Ahmeti në profilin e tij në Facebook. Ai kërkoi nga qytetarët për lëvizje të kufizuar dhe premtoi se pas ndërprerjes së reshjeve, situata do të stabilizohet.

Në Kosovë sot temperaturat lëvizin prej minus 5 në mëngjes deri në minus 2 gradë celsiusë gjatë ditës.

Exit mobile version