Site icon PORTALB

Shkupi, Vrapçishte dhe Drita mbeten në Ligën e Dytë

Ka përfunduar me sukses zezoni 2013/14 për skuadrën e FC Shkupi, e cila me fitoren 4:2 ndaj KF Zajazi është ngjitur në pozitën e katërt duke mbetur edhe vitin e ardhshëm në mesin e ekipeve më të mira të Ligës së Dytë.

Në një ndeshje korrekte dhe me shumë shanse për gol nga të dy ekipet, Shkupi ka qenë më e koncentruar në dy pjesët e lojës, kur dhe ka shënuar fitore shumë me vlerë. I pari serinë e golave e ka hapur Fisnik Zuka, i cili shënoi në minutën e 24-të, ndërsa pas tij ka shënuar Ernest Osmani për të ngritur epërsinë në minutën e 32-të. Vetëm 4 minuta më vonë Emir Shabani shënon për 3:0 në të mirë të Shkupit, ndërsa pjesa e parë përfundoi me rezultatin 3:1, pasi që gol shënoi Bujar Ibraimi vetëm pesë minuta para se të mbarojnë 45 minutat e para.

Edhe pjesa e dytë ishte shumë dinamike, ndërsa u shënuan edhe dy gola të tjerë. Të parët që ngushtuan rezultatin ishin mysafirët, që kanë shënuar me anë të Murat Adilit në minutën e 85-të, ndërsa përsëri në listën e golashënuesve u regjistrua Emir Shabani në minutat e fundit të ndeshjes. Emir Shabani kishte edhe disa raste tjera për të shënuar, gjithashtu edhe Mentor Idrizi dhe Goran Stankovski. Të shkëlqyer në fushë ishin edhe mesfushorët Muharem Bajrami dhe Bunjamin Asani.

Tani skuadra e FC Shkupi do të përgatitet për ndeshjen e radhës, që të mërkurën e luan në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Maqedonisë, kur në Prilep do të luajë kundër skuadrës së Ligës së Tretë, Rosoman.

Edhe skuadrat tjera shqiptare Vrapçishti dhe Drita kanë siguruar mbetjen pa balotazh në Ligën e Dytë, duke mundur ekipet kundërshtare. Vrapçishti me golat e shkupjanëve Ertan Hasan dhe Shaban Sulejman e mundën Tiverija me 3:0, ndërsa Drita e ka mundur Pobedën nga Prilepi me rezultat 1:3, me dy gola të Brendim Rushiti dhe Valmir Jonuzi. / Portalb

Exit mobile version