Site icon PORTALB

Gjendja e Kodrës së Diellit: ASH-ja parashtroi katër kërkesa ndaj Qeverisë së Maqedonisë

Altrim Mamuti

Partia opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët (ASH) sot ka parashtruar katër kërkesa ndaj Qeverisë së Maqedonisë, për të përmirësuar gjendjen në Kodrën e Diellit, e cila nisi sezonin turistik pa asnjë investim dhe me shumë defekte, transmeton Portalb.mk.

Nga ASH-ja kërkojnë:

1) Qeveria me vendim të saj t’ia merr të drejtën e menaxhimit ndërmarrjes ELEM, dhe kjo ndërmarrje të mos ketë të drejtën e pronësisë dhe menaxhimit në Kodrën e Diellit.
2) Qeveria të formojë një këshill drejtues, me këtë përbërje: 3 anëtarë nga qeveria, 3 anëtarë nga komuna e Tetovës, dhe 3 anëtarë ekspert të fushës së turizmit. Nga bordi drejtues të zgjidhet drejtori për menaxhimin e Kodrës së Diellit.
3) Qeveria të ndajë buxhet të menjëhershëm për funksionimin e këshillit drejtues dhe punonjësve aktual të cilët janë me vendim pune të rregullt.
4) Në marrjen e pasurisë dhe veprimtarive të Kodrës së Diellit t’iu jepet përparësi firmave dhe investitorëve nga Tetova dhe malësia e saj”.

Siç sqaroi kryetari i degës së ASH-së në Tetovë, Altrim Mamuti, përpilimi i kërkesave ka ardhur pas konsultimeve që anëtarët e kësaj dege i kanë realizuar me profesorë universitarë dhe ekspertë të ekonomisë.

Sipas asaj që deklaroi Mamuti, përmbushja e kërkesave do ta ndryshojë gjendjen e Kodrës së Diellit dhe gjërat do të vihen në funksion.

“Me këto vendime dhe mekanizma veprimi, do të thyhet staus quo-ja aktuale, gjërat do të vihen në funksion, me çka do të mundësohej zhvillimi ekonomik i kësaj qendre. Në rast të mos interesimit dhe vazhdimit të kësaj gjendje me qendrën e Kodrës së Diellit, Ne, Aleanca për Shqiptarët, dega Tetovë, do të organizohemi me banorët e Malësisë së Sharrit dhe qytetarët e Tetovës për bllokimin e rrugës Tetovë – Kodër e Diellit kur do ta vizitojnë qeveritarët dhe deputetët e Republikës së Maqedonisë këtë qendër turistike”, tha Mamuti.

Përndryshe, Kodra e Diellit e cila edhe pse me vizitorë më të shumtë, investime nuk ka fare. Mungojnë teleferikë, pista për skijim, nuk ka parkingje, kurse edhe sezonin e ka hapur me ashensorë për skijim me defekte.

LEXO: Sezoni i skijimit në Kodrën e Diellit: Me erë të fortë, reshje të mëdha dhe ashensorë me defekte (VIDEO)
LEXO: Kodra e Diellit, pasuria natyrore e Sharrit e cila degradohet nga viti në vit (FOTO-VIDEO)
LEXO: Kodra e Diellit shembull tipik i nacionalizmit dhe “federalizimit” maqedonas

Exit mobile version