Të paktën 94 gazetarë dhe përfaqësues të mediave janë vrarë gjatë kryerjes së detyrës në vitin në ikje, transmeton Anadolu Agency (AA).
Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (FNG) publikoi sot raportin vjetor ku thuhet se krahasuar me vitin e kaluar, vërehet një rritje e numrit të gazetarëve të vrarë në sulmet me armë dhe bombë në botë.
Të paktën 10 përfaqësues të mediave u vranë derisa punonin si shoferë, roje sigurie ose asistentë në detyra.
Ndër reporterët dhe personelin e mediave të vrarë janë 6 gra.
Raporti thotë se në vitin 2017, 82 përfaqësues të mediave humbën jetën në sulme.
FNG në mënyrë të veçantë dënoi vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, i cili u likuidua në mënyrën me brutale në fillim të tetorit në Konsullatën Saudite në Stamboll.
Kreu i FNG-së Philippe Leruth shprehu shqetësim të thellë në lidhje me sulmet ndaj gazetarëve dhe personelit të medias.
“Edhe një herë i bëjmë thirrje OKB-së të miratojnë rezolutën mbi mbrojtjen e gazetarëve që kemi parashtruar në tetor”, tha Leruth.
Në rajonin e Azisë dhe Paqësorit këtë vit u vranë 32 gazetarë, në Amerikë 27, në Lindjen e Mesme dhe në botën arabe 20 gazetarë. Në Afrikë jetën e kanë humbur 11 përfaqësues të medias dhe 4 në Evropë.