Site icon PORTALB

Lavrov: Qëllimi i aksioneve ushtarake turke në Siri është çrrënjosja e terrorizmit

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Seregi Lavrov

Rusia planin turk për nisjen e operacionit të ri ushtarak në Siri e sheh si këmbëngulje që të çrrënjoset terrorizmi dhe të kthehet sovraniteti sirian, tha të premten ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Për planin e Ankarasë do të bisedojmë në takimin e së shtunës në Moskë, në të cilin do të marrin pjesë ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të të dy vendeve,” tha Lavrov pas takimit në Moskë me ministrin e jashtëm jordanez, Ayman Safadi.

“Planet e Ankarasë për të kryer veprime shtesë anti-terroriste në Sirinë verilindore ne i shohim nga pikëpamja e çrrënjosjes së terrorizmit dhe kthimin e sovranitetit sirian dhe integritetit territorial”, shtoi ai.

Liderët turq janë shprehur se së shpejti do të nisin aksion anti-terrorist në lindje të lumit Eufrat në Siri, i cili do të drejtohet kundër grupit terrorist YPG/PKK. Që nga viti 2016, Turqia ka kryer dy aksione të suksesshme anti-terroriste në Siri.

Ndërkohë, Dimitri Peskov, zëdhënës i Kremlinit, tha se qëllimi i kontakteve midis zyrtarëve rusë dhe turq është “të sjellin qartësi të plotë dhe të harmonizojnë aksionet dhe të kuptuarit e zhvillimit të ardhshëm të situatës në Siri”.

Lavrov sot priti homologun e tij jordanez në Moskë për të biseduar për Sirinë dhe përleshjen mes Izraelit dhe Palestinës.

Presidenti amerikan, Donald Trump, javën e kaluar befasoi me atë se do të tërheq nga Siria trupat e SHBA-ve.

Vendimi i tij vijoi pas bisedës telefonike me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, gjatë të cilit dy liderë ranë dakord mbi nevojën për një koordinim më efektiv në vendin e prekur nga lufta civile.

Exit mobile version