Gjykata penale e publikoi shkresën e ambasadorit amerikan Xhes Bejli tek kryetari i Gjykatës, Ivan Xholev, në lidhje me siç thotë, “thashethemet e vazhdueshme të rreme me pretendimet se Ambasada e SHBA-së ka për qëllim të ndikojë tek gjykatësit”, përcjell Portalb.mk.
Ai thotë se çfarëdo sugjerimi që SHBA-të dëshirojnë të menaxhojnë me ndonjë vendim gjyqësor, është i rremë.
“Jam thellësisht i shqetësuar prej këtyre thashethemeve të rreme, duke pasur parasysh përkushtimin tonë për gjyqësor të pavarur. Për të ndihmuar të zbulohen këto thashetheme të rreme, ju lutem ta ndani përmbajtjen e kësaj letre me kolegët tuaj gjyqtarë, me qëllim që ata të binden se pozicioni jonë është dhe do të ngelet i njëjtë, e kjo është se ata janë të pavarur në zbatimin e ligjit dhe se asgjë tjetër përveç fakteve dhe ligjit, nuk duhet të ndikojë në vendimet e tyre”, thuhet në letrën e Bejlit.
Ai thekson që SHBA e mbështesin dhe angazhohen për pavarësi të gjyqësorit maqedonas dhe se ky është mesazhi i tyre publikisht dhe privatisht.
“Ne besojmë se gjykatësit duhet të marrin vendime në bazë të ligjeve në fuqi dhe dëshmive të lejuara, e jo në bazë të çfarëdo vlerësimi politik apo intervenimeve të ndonjë figure politike apo qeveritare. Ky është mesazhi ynë i vazhdueshëm, publikisht dhe privatisht”, thotë ai.
Ambasadori amerikan shton se mbetet i përkushtuar në bashkëpunimin me Xholevin dhe gjykatësit tjerë në Maqedoni me qëllim që shteti të gëzojë përfitimet nga gjyqësori i krejtësisht i pavarur dhe të drejta e liri të cilat në esencë varen nga sundimi i vërtetë i të drejtës.