Aleanca për Shqiptarët: Kemi dilema shumë të mëdha nëse do të votojmë “për” ndryshimet kushtetuese

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, sot në konferencë për shtyp deklaroi se partia e tyre ka dilema shumë të mëdha, nëse do të votojnë “për” ose “kundër” në fazën e tretë të ndryshimeve kushtetuese në lidhje me Marrëveshjen e Prespës, raporton Portalb.mk.

“Kemi sinqerisht dilema të mëdha se si do të votojmë në lidhje me ndryshimet kushtetuese, këtu punohet për dy çështje të cilat janë njësoj të rëndësishme për shqiptarët – edhe inkuadrimi i Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian, por mos i harrojmë se shumë i rëndësishëm për ne është edhe statusi i shqiptarëve, andaj kemi dilema shumë shumë të mëdha, të cilat do t’i vendosin organet partiake”, tha Taravari.

Ai rikonfirmoi se Aleanca për shqiptarët do t’i përsëritë amendamentet, të cilat nuk janë pranuar nga pushteti.

“Aleanca për Shqiptarët ka dhënë amendamente, një pjesë e njërit amendament është pranuar, në propozimet që do të ndodhin në Parlament më 9 dhe 10 janar të vitit të ardhshëm, ne përsëri do t’i përsërisim amendamentet tona edhe një herë”, shtoi Taravari.

Dje, kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami përkrahjen e tij për mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese e kushtëzoi me pranimin e amendamenteve të tyre.

“Nëse Zaevi nuk ka vesh për kërkesat tona, që deri tani nuk kishte, le të mendojë të gjejë ende vota për ndryshime kushtetuese”, tha Kasami pas mbledhjes partieke të enjten.

Grupi parlamentar i Besës dhe Aleancës për Shqiptarët kërkuan që në amendamentet e Marrëveshjes së Prespës të fshihet fjala “maqedonas” në grafën për shtetësinë dhe të shkruajë vetëm “qytetarë të Maqedonisë Veriore”.

Vendimin se a do t’i përkrahin deputetët e tyre ndryshimet kushtetuese do ta merr kryesia qendrore e Besës. Besa ka dy deputetë në Kuvend. Numër të njëjtë të deputetëve ka edhe Aleanca për Shqiptarët.

Për fazën përfundimtare të ndryshimeve kushtetuese duhet të votojnë 80 deputetë për të cilat Zaev tha se ende nuk i ka siguruar. Zaev në brifing me gazetarët të martën tha se: “76 persona kanë deklaruar se do të votojnë për ndryshimet kushtetuese”.

LEXO: Ende nuk ka shumicë 80 deputetësh

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button