Site icon PORTALB

Gjuha shqipe në manifestimin “Sportisti i vitit”: Hendbollisti Stoillov e lëshoi sallën, kontestohet çmimi i 2017-s

Stojançe Stoillov gjatë marrjes së çmimit "Sportisti i vitit 2017"

Përdorimi i gjuhës shqipe në manifestimin e sivjetmë të “Sportisti i viti”, i realizuar nga Agjencia për Rini dhe Sport e Maqedonisë, sipas mediave ishte shkak që hendbollisti maqedonas, Stojançe Stoillov ta lëshojë sallën. Lajmet kanë ngjallur reagime të shumta në opinion, dhe ka bërë që të kontestohet edhe çmimi “Sportisti i vitit” që Agjencia për Rini dhe Sport ia dha Stoillovit në vitin 2017, transmeton Portalb.mk.

Portalb është duke pritur qëndrim nga Agjencia për Rini dhe Sport në lidhje me veprimin e fituesit të çmimit “Sportisti i vitit” në vitin 2017, Stojançe Stoillov dhe sqarimin e këtij të fundit se lëshimi i sallës a ka të bëj me çështje nacionaliste, apo arsye të tjera.

Hendbollisti i Maqedonisë, njëherit edhe kapiten i ekipit të hendbollit Vardar, Stojançe Stoillov e ka lëshuar sallën para kohe, si shenjë revolte ndaj fjalimit në gjuhën shqipe të sportistëve shqiptarë. Fjalime në gjuhën shqipe kanë mbajtur fituesit e çmimeve – shkollat e Tetovës dhe Çairit.

Shkrimi i Temellkovskit

Drejtori i Federatës së Basketbollit të Maqedonisë, Vlladimir Temellkovski veprimin e ka quajtur si të ulët dhe në kundërshtim me moton e rëndësishme të sportit “Në sport nuk ka racë, nacionalitet dhe religjion – të gjithë janë të njëjtë”. Ai vë në kontestim edhe çmimin që Stoillovi e mori në vitin 2017.

“Në sport nuk ka vend për diskriminim politik, racor dhe gjinor, apo nacionalizëm, por është e dukshme se disa sportistë e kanë harruar moton më të rëndësishme dhe ndërkombëtare, se në sport nuk ka racë, religjion dhe nacionalitet. Në sport të gjithë janë të njëjtë, kurse fitojnë më të guximshmit dhe më të përkushtuarit, kurse për ata që para kohe dorëzohen dhe prezantojnë urrejtje dhe jotolerancë, nuk ka vend në sport. Veprimi i ish “Sportisti i vitit”, është veprim i ulët, u turpshëm dhe ofendues. E gëzoftë çmimin që DRS-ja ia dha vitin e kaluar, për të cilin votuan edhe maqedonasit, shqiptarët, romët dhe vllehët, dhe le ta mbajë krenarinë në terren, kurse me intriga kaq të ulëta dhe manipulime, do të marrë pikë për arritje të vogla”, tha Temellkovski.

Rubin Zemon

Ndërkaq koordinatori i grupit punues për përpilimin e strategjisë nacionale për konceptin “Një shoqëri për të gjithë dhe ndërkulturalizëm”, në Qeverinë e Maqedonisë, Rubin Zemon ka vlerësuar se Stoillov me veprimin ka treguar se nuk është sportist.

“Stojançe Stoillov mbrëmë tregoi se nuk është sportist, por vetëm një lojtar në hendboll. Për sportist duhesh të jesh person i madh, plotë me tolerancë edhe jashtë terreni”, tha Zemon, i cili më pas ka shtuar “Sikur ta pyesnit Stoillovin se a ka dëgjuar për Shaban Tërstenën dhe Shaban Sejdiun të cilët sollën medalje olimpike? A do ta respektojë identitetin e tyre?”.

Berat Jakupi

Se çmimi “Sportisti i vitit” për vitin 2017 mund të ketë qasje politike, vihet në pah edhe nga reagimi i karateistit shqiptar Berat Jakupi të bërë në vitin 2017, pas ndarjes së çmimeve.

“Mbrëmë në hallën e teatrit të dramës u shpallën sportistët e vitit në Maqedoni për vitin 2017. Për çmimin kryesor “Sportist Viti” në mesin e pesë të nominuarve ishte edhe Berat Jakupi (Unë). Sipas gjithave kritereve në përzgjedhjen e sportistit më të mirë gjatë vitit 2017, padrejtësisht i jepet ky çmim një hendbollisti i cili është anëtar i një klubi dhe bashkërisht me bashkëlojtarët e tij sollën rezultatin që s’është edhe për ta nënçmuar. Vlerësimi nga ana e komisionit profesional, lidhjes së federatave sportive në RM, si dhe Unioni i gazetarëve sportiv në përzgjedhjen e Sportistit më të mirë ishte e njëanshme dhe politike. Çmimi Sportist viti i jepet sportistit i cili sjell medalje nga lojërat olimpike, kampionate botërore apo evropiane, pjesëmarrës si anëtar i kombëtares në sportin përkatës dhe në qoftë se brenda vitit s’kemi ndonjë rezultat të tillë, në ato raste merren parasysh rezultatet e klubeve në arenën ndërkombëtare”, pati deklaruar Jakupi.

Përndryshe fitues të çmimit të sivjetmë janë:

Sportisti më i suksesshëm: Emil Pavllov – karate
Sportistja më e mirë: Sara Ristoska – hendboll
Sportisti më i suksesshëm në mërgatë: Kirill Llazarov – hendboll
Federata më e suksesshme: Federata e Karatesë e Maqedonisë
Trajneri më i suksesshëm: Sasho Arsovski – karate
Ekipi nacional i meshkujve më i suksesshëm: Përfaqësuesja e Hendbollit
Ekipi nacional i femrave më i suksesshëm: Përfaqësuesja e Hendbollit
Sportisti më i mirë me invaliditet: Olivera Nakovska Bikova
Sportisti më i ri i ri: Fahik Veseli – karate
Sportistja më e mirë e re: Anamarija Georgievska
Klubi i universitetit më i suksesshëm: Futbolli i vogël në Shën Kirili dhe Metodi
Klubi i shkollave të mesme më i suksesshëm: “8 Shtatori” – Tetovë
Klubi i shkollave fillore më i mirë: “Tefejuz” – Çair

Exit mobile version