Të punësuarit në Qendrat Klinike sot kanë vendosur ta ndërprejnë protestën. Ky vendim vjen pas takimit të djeshëm me ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe, transmeton Portalb.mk.
Kryetari i Sindikatit të Pavarur i të punësuarve në qendrat klinike, Goran Begoviq tha se në takimin e djeshëm, ministri i Shëndetësisë u ka thënë se do të caktojë takim me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev më 24 ose 25 dhjetor, transmeton Portalb.mk.
Të punësuarit në Klinika protestën e filluan para katër ditësh, pasi Këshilli i Qytetit të Shkupit vendosi që bileta e parkingut të bëhet 800 denarë, në vend të 300 siç ishte deri tani. Ata kërkuan që parkingun ta merr në mbikëqyrje Qendra Klinike.
Filipçe u ka thënë se në bisedë telefonike me kryetarin e Qytetit të Shkupit i kanë shqyrtuar opsionet juridike për kthimin e parkingut në autorizim të Qendrës Klinike, ndërsa Ministria e Shëndetësisë për zgjidhjen e problemit planifikon të ndërtojë dy parkingje me kate.