Site icon PORTALB

Trump grindet me demokratët për buxhetin rreth murit me Meksikën

Donald Trump dhe, Mike Pence, në takim me demokratët, Nancy Pelosi dhe Chuck Schumer/ Foto:AP

Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar me mbyllje të Qeverisë, teksa ka diskutuar me demokratë të lartë në Shtëpinë e Bardhë për buxhetin rreth kufirit SHBA-Meksikë, transmeton REL.

Në një debat të zjarrtë me demokratët, Nancy Pelosi dhe Chuck Schumer, Trump ka thënë se ai do të ishte “krenar” nëse do të mbyllte Qeverinë për shkak të sigurisë kufitare.

Ligjvënësit amerikanë përballen me mbyllje të Qeverisë nëse projekligji për buxhetin nuk miratohet deri më 21 dhjetor.

Demokratë kanë thënë se 5 miliardë dollarë, sa kërkon Trump për kufirin është shumë tejet e madhe.

Trump e ka nisur takimin e tij me demokratët, duke thënë se është “nder i madh” që Schumer dhe Pelosi janë aty.

Ky ka qenë takimi i parë mes tyre prej kur demokratët kanë fituar kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet e nëntorit për Kongres.

Megjithatë takimi ka marrë drejtim tjetër pasi dy demokratët kanë argumentuar pse legjislacioni për të mbajtur Qeverinë e hapur duhet të kalojë në të dyja dhomat e Kongresit para se financimi për disa agjenci të përfundojë më 21 dhjetor.

Mirëpo presidenti ka lënë të kuptohet se do të kalojë projekligjin vetëm nëse ai është në përputhje me kërkesat që ka Trump rreth propozimit të tij për ndërtimin të murit në kufirin jugor të SHBA-së.

Exit mobile version