I menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Demokratike Shqiptare ndaj akuzave të sotshme të BDI-së për kasaphane. Sipas partisë së Thaçit, është partia e Ahmetit e cila bën kasaphanë duke nisur nga ligji për gjuhen shqipe, natalitetin dhe disa raste të tjera.
“Le të flasim për “kasaphanën” e BDI-së. Ligji për kasaphanën në natalitet të shqiptarëve, Ligji për kasaphanën e gjuhës shqipe, ligji për kasaphanën e flamurit kombëtarë, kasaphanë është ekzodi i disa dhjetëra mijëra shqiptarëve, kasaphana ndaj shqiptarëve në Enciklopedinë maqedonase, në tekstet shkollore, në evidencën pedagogjike në gjuhën maqedonase, maqedonishtja nga klasa e parë. Kasaphane në Universitetin Shtetërorë të Tetovës, Kasaphane në Institutin për trashëgimi kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve, kasaphane në ndarjen e buxhetit për kulturë, arsim, shkencë, infrastrukturë, shëndetësi etj. Kasaphane në kalanë e Shkupit, kasaphanë me Shkupin 2014” shkruhet në komunikatën e PDSH.
Kjo parti thekson se kasaphanë është rrahja e shqiptarëve në Nerez, rrahja e nxënësve shqiptarë në autobuse, rrugë e shkolla.
“Kasaphanë është vrasja e Harun Aliut me shokë, kasaphanë është vrasja e dy të rinjve në Gostivar dhe të riut në Strugë. Kasaphanë është bastisja e qindra familjeve shqiptare, kasaphanë është tërheqja zvarrë dhe maltretimi dhe rrahja e nënave dhe motrave shqiptare. Kasaphanë është shqiptarët të quhen radikal islamik dhe terrorist, Kasaphanë është Monstra. Kasap dhe Monstër për shqiptarët janë Ali Ahmeti dhe BDI” shkruhet në komunikatën e PDSH.
Partia e Menduh Thaçit rikujtoi se sot të akuzuarve për në rastin “Monstër” ju vazhdua paraburgimi edhe për 30 ditë. /portalb