Kanë kaluar 65 ditë që kur për herë të fundit ishte premtuar se deponia Rusino në Gostivar do të fillojë të rregullohet. Por edhe sot e kësaj dite, në terren pothuajse nuk është bërë asgjë krahas premtimeve të deritanishme. Ka qenë 24 shtatori i këtij viti kur kryetarët e komunave të Pollogut caktuan fazat për fillimin e punëve në këtë deponi rajonale, megjithatë ende nuk ka asgjë informatë kthyese se kur do të fillojë të realizohet faza e parë, shkruan gazeta KOHA.
Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, është shprehur se pas 15 vitesh të ekzistimit të këtij problemi, tashmë seriozisht është duke u punuar në këtë drejtim, por pa precizuar detaje se kur do të fillohet me punë konkrete. “Ky problem është gati se mbi 15 vjet. Gati se 5 vite banorët lokal në ato pjesë, kërkojnë që të ndërmerren hapa konkret nga ana e kryetarëve të komunave. Nuk është ndërmarrë asgjë. Tashmë kanë filluar aksionet për të bërë diçka në aspektin infrastrukturor dhe për rregullimin e deponisë Rusino”, deklaroi Taravari.
Sipas informacioneve, deri më tash në deponinë Rusino nga ana e Komunës së Gostivarit është bërë një investim, ndërsa Taravari sqaron për KOHA se shumë shpejt do të dilet në vendngjarje për të parë punët e deritanishme.
“Planifikojmë të shkojmë shumë shpejt në vendngjarje dhe të shohim se çfarë pune ka bërë Komuna e Gostivarit. Po ashtu, së bashku me komunat e rajonit planor të Pollogut jemi duke punuar për hapjen e tenderëve të caktuar për të përmirësuar ambientin në deponinë Rusino”, deklaroi Taravari. Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, herën e fundit ishte shprehur se ndërtimi e deponisë do të zgjidhte një problem që me dekada ka regjioni i Pollogut me deponitë e egra. Ajo kishte deklaruar se punimet në deponinë Rusino do të zhvillohen në dy faza.