Site icon PORTALB

Marrëveshja mbi Gjibraltarin, Spanja ka mbështetur tekstin për Brexitin

Spanja

Pas një kërcënimi që bëri me veto ndaj marrëveshjes së Brexitit dhe bojkotit të Samitit të sotëm të BE-së, kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, njoftoi mbrëmë se do të mbështesë marrëveshjen për Brexitin, raporton Anadolu Agency (AA).

Sanchez kishte kërkuar më herët të bëhet e qartë marrëveshja për tërheqjen e Britanisë së Madhe lidhur me të ardhmen e Gjibraltarit, megjithatë, njoftoi se ka arritur një marrëveshje me BE-në dhe Britaninë e Madhe.

“Sapo Britania të largohet nga BE-ja, marrëdhëniet politike, juridike dhe gjeografike midis Gjibraltarit dhe BE-së do të kalojnë përmes Spanjës”, tha Sanchez në një fjalim televiziv.

Pas bisedimeve të rënda, por të frytshme në javët e kaluara për të qartësuar të ardhmen post-Brexit të Gjibraltarit, tha Sanchez, “jam i lumtur që kam pranuar një deklaratë të Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian, dhe një konfirmim të shkruar nga Britania se e ardhmja e territorit britanik në anën jugore të Spanjës bëhet një çështje dypalëshe”.

Gjibraltari që ka një popullsi prej rreth 30.000 banorësh i’u bashkëngjit Britanisë nga Spanja nën Traktatin e Utrehtit të vitit 1713, megjithëse që nga atëherë kanë vazhduar pretendimet spanjolle mbi rajonin.

Nga viti 1968 deri në vitin 1985, një vit para se të bashkohej me BE-në, Spanja imponoi një bllokadë duke ndërprerë për banorët e Gjibraltarit qasjen në kufirin tokësor dhe komunikim.

Pjesa dërmuese e banorëve të Gjibraltarit e konsiderojnë veten britanikë. Në një referendum të mbajtur në vitin 2002, me pyetjen “nëse Spanja ose Britania e Madhe duhet të ketë sovranitetin mbi territorin, 98.5 për qind votuan për të mbetur nën sundimin britanik.

Exit mobile version