Teatri i Gostivarit me ushtrues detyre prej drejtori, shfaqja e parë në maj të 2019-s
Berat Saliu është ushtruesi i detyrës së funksionit të drejtorit të Institucionit Nacional “Teatri i Gostivarit”, i cili siç paralajmëroi ministri i Kulturës, Asaf Ademi në takimin joformal me gazetarët, premierën e shfaqjes së parë do ta ketë në muajin maj të 2019-s, transmeton Portalb.mk.
“Kemi emëruar ushtrues të detyrës. Procedura është në vijim. Fillimisht Institucioni Nacional duhet të regjistrohet në Regjistrin Qendror, të caktohet statuti i tij, dhe pastaj ushtruesi i detyrës së drejtorit të institucionit do të shpallë konkurs për pranimin e punëtorëve të rinj. Do të ketë edhe trup teatrore, por ajo është obligim i institucionit nacional. Me buxhetin e vitit të ardhshëm kemi paraparë mjete financiar për punësim të 27 personave. Pritet që premiera të jetë dikur në periudhën prill – maj të 2019-s”, tha Ademi.
Përndryshe, më 30 tetor Qeveria e Maqedonisë e miratoi vendimin për themelimin e Institucionit Nacional “Teatri i Gostivarit” i cili do ketë 27 të punësuar përfshirë këtu edhe trupën teatrore.
Selia e Teatrit do të jetë në Qendrën e Kulturës, ku ambienti skenik do të jetë i përbashkët, derisa në objekt ekzistojnë kushte për funksionimin administrativ të të dyja institucioneve.
Mjetet për themelimin e këtij institucioni do të sigurohen nga buxheti i Republikës së Maqedonisë për vitin 2018 dhe 2019 në shumë të përgjithshme 10.225.000.00 denarë. Mjetet për aktivitetet programore të institucionit do të sigurohen nga buxheti i Republikës së Maqedonisë, sipas procedurës së përcaktuar me Ligjin e Kulturës.
LEXO: Programi Kulturor 2019, ministri Ademi do të ketë numër të veçantë për të denoncuar parregullsitë
LEXO: Raporti i kontrollit të rikonstruimit të Teatrit Shqiptar, në duart e PSP-së
LEXO: Rikonstruimi i Teatrit Shqiptar, dhjetë parregullsitë e evidentuara në raportin e kontrollit