“Unë i respektoj masat për përkujdese, nuk ekziston asnjë shkak që të ndryshojnë. Nuk ka arsye pse të më përcaktohet masë paraburgimi”, kështu tha ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska para seancës së sotme të rastit “Titanik” të Prokurorisë Speciale Publike, transmeton Portalb.mk.
Ish-ministrja është e dënuar me gjashtë vjet burg në rastin “Tank”. Ajo gjithashtu duhet t’i kompensojë edhe harxhimet e procedurës gjyqësore.
Jankullovska është e dënuar për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe autorizim, gjegjësisht për shkak se e ka nxitur ish-ministrin Gjoko Popovski të kryejë vepër penale.
Ajo në rastin “Tank” u gjykua veçmas për shkak shtatzënisë së rrezikshme. Rasti “Tank” i Prokurorisë Speciale Publike ka të bëjë me furnizimin e mercedesit me vlerë prej rreh 600 mijë eurove.
Jankullovska pasi u dënuar dërgoi ankesë te Gjykata e Apelit për aktvendimin ndaj saj, por nga gjykata ende nuk është sjellë vendim.
Gjykata Penale deklaroi se në mëngjes janë arrestuar ish-ministri Mile Janakievski dhe ish-sekretari i përgjithshëm i partisë, Kiril Bozhinovski për shkak se ekziston mundësi që edhe ata të ikin nga shteti.
Veprimi i tillë pasoi pasi që dje ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski njoftoi në rrjetin social “Facebook” se ndodhet në Budapest ku ka kërkuar azil politik. Gruevski në rastin e njëjtë është dënuar me dy vjet burg.