Për shkak të sulmeve ajrore izraelite që zgjasin nga mbrëmë në Gaza është pezulluar mësimi nëpër shkolla dhe puna në institucionet publike, raporton Anadolu Agency (AA).
Nga Zyra e Qeverisë në Gaza thonë se spitalet dhe institucionet shëndetësore vazhdojnë të punojnë.
Forcat izraelite kryen sulme edhe në orët e mëngjesit. Në sulmin ajror u shkatërrua një banesë 7 katëshe, ndaj saj u shkrepën 11 raketa. Dëme materiale iu shkaktuan edhe xhamisë në ndërtim.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës konfirmoi se në orët e mëngjesit është vrarë një palestinez dhe një tjetër është plagosur.
Të paktën pesë palestinezë u vranë në sulmet e mbrëmshme izraelite në Rripin e Gazës.
Ministri palestinez i Shëndetësisë, Ashraf al-Qudra tha se palestinezi që u plagos rëndë në sulmet izraelite në qytetin e Rafahut ndërroi jetë sot në mëngjes në spital.
Gjatë natës së fundit, bombarduesit izraelitë kryen sulme të ashpra në pjesë të ndryshme të enklavës palestineze të bllokuar të Gazës.
Cak i sulmit ishte stacioni policor, dy selitë të lëvizjes Xhihadi Islamik dhe televizioni Al-Aksa. Izraeli nisi sulme ajrore pas pretendimeve për sulme me raketa nga Rripi i Gazës.
Ushtria izraelite pretendon se më shumë se 300 raketa u hodhën të hënën nga Gaza në Izrael dhe se shumica e tyre u interceptuan nga sistemi mbrojtës ose kanë rënë në zona të pabanuara. Në sulmet me raketa, 29 izraelitë u plagosën.
Organizata e Kombeve të Bashkuara kërkoi që t’i jepet fund konfliktit në Gaza.