Identiteti dhe emri i Maqedonisë, temë diskutimi e ditës së parë të debatit për draft amendamentet kushtetuese

Në Komisionin për Çështje Kushtetuese sot ka filluar debati për draft amendamentet e Kushtetutës së Maqedonisë. Identiteti dhe emri i shtetit të Maqedonisë ishin tema për të cilat u debatua edhe në ditën e parë të diskutimit, i cili duhet të zgjasë 12 ditë, transmeton Portalb.mk. Seanca plenare në të cilën do të votohet për draft amendamentet, është caktuar për më 1 dhjetor 2018.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev pasi sqaroi draft amendamentet kushtetuese, deklaroi se nëse marrëveshja e Prespës nuk ratifikohet në Parlamentin e Greqisë dhe nëse nuk nënshkruhet protokolli për anëtarësim të Maqedonisë në NATO nga pala greke, ndryshimet kushtetuese nuk do të hynë në fuqi, edhe pse do të miratohen nga Kuvendi i Maqedonisë.

“Në vendim do të shkruajë se këto amendamente janë pjesë e Kushtetuese dhe hynë në fuqi kur pala greke do ta ratifikojë marrëveshjen në parlament. Ndryshimet kushtetuese do të hynë në fuqi edhe kur nga pala greke do të nënshkruhet edhe protokolli për anëtarësim të Maqedonisë në NATO. Nëse Greqia nuk e përmbush kushtin e saj, ndryshimet kushtetuese nuk do të hynë në fuqi”, tha Zaev.

Procedura e ndryshimeve kushtetuese nisi si rezultat i Marrëveshjes së Prespës, por pas kërkesës së partive opozitare shqiptare, pjesë e procesit u bë edhe vendosja e Marrëveshjes së Ohrit në Preambulë.

“Vendosja e preambulës së Marrëveshjes së Ohrit është më se e nevojshme, ngaqë 14 Nene të Kushtetutës janë të Marrëveshjes së Ohrit. Ajo mundëson që të gjitha komunitetet të trajtohen njëjtë në Maqedoni”, tha Zaev.

Ai edhe njëherë ka bërë thirrje që procesi i ndryshimeve kushtetuese të jetë proces gjithëpërfshirës, me çka ftoi deputetët që të dëshmojnë se mbështesin ardhmërinë evropiane të Maqedonisë.

“Mbetem edhe më tej tek oferta ime që të kemi gjithëpërfshirje në proces. Deputetë janë ata që me përkrahje të kësaj iniciative do të dëshmojnë se e duan dhe e mbështesin ardhmërinë e Maqedonisë”, tha Zaev.

Pas kësaj, fjalim ka mbajtur deputeti i VMRO-DPMNE-së, Trajko Veljanoski i cili uroi pushtetarët për situatën siç e quajti ai, më të relaksuar se më parë.

“E shoh se tash jeni më të relaksuar se sa fazën e parë. Nuk keni qenë. Sepse herën e parë u janë dashur 80 deputetë, kurse tash 60. Dua të ju uroj, sinqerisht e them këtë. Ju dolët në krye të asaj grupe, dhe vendosët që ta ndryshoni Kushtetutën, pavarësisht dëmeve që mund t’i pësojë Maqedonia”, tha Veljanoski.

Megjithatë, ai vazhdoi duke demantuar kryeministrin Zaev, se me draft amendamentet kushtetuese do të ruhet identiteti dhe emri i shtetit.

U kërkua transmetim i drejtpërdrejt i debatit të komsionit

Meqë në pjesën e parë u kërkua që debati të transmetohet drejtpërdrejt në kanalin e Kuvendit të Maqedonisë, dhe meqë i njëjti nuk u plotësua, deputeti Velajnoski e pyeti kryeparlamentarin Xhaferi: “Dua të shpreh pakënaqësinë time për pse ky debat nuk transmetohet drejtpërdrejt. Prandaj duhet të tregohet se a është kërkesë kjo e Zaevit apo e juaja. Mbetemi tash që mediat të raportojnë debati ashtu siç ata mendojnë”.

Ndaj pyetjes së Veljanoskit, kryeparlamentari Xhaferi u përgjigj: “Dallimi është se kur punuam herën e parë nuk ka pasur aktivitet tjetër në Kuvend, dhe ishte i mundshëm transmetimi drejtpërdrejt i tërë debatit. Meqë me 9 nëntor kemi seancë plenare, atëherë nuk mundet ne ta transmetojmë komisionin në tërësi, sepse nuk mundet të kemi dy transmetime në të njëjtën kohë. Atëherë do të del se me 9 nëntor ne duam të fshehim diçka? Kjo është kështu, proceduralisht”.

Diskutimi i draft amendamenteve erdhi pas fazës për përpilimin e tyre, që rezultoi me hapjen e kushtetutës së Maqedonisë, më 19 tetor të 2018-s në Kuvendin e Maqedonisë. Miratimi u mundësua me votën “për” të 80 deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë, përfshirë edhe 8 deputetë të VMRO-DPMNE-së, për të cilët në Kuvendin e Maqedonisë u formua Komision për Pajtim Nacional dhe grup parlamentar, pasi që u përjashtuan nga partia.

LEXO: Qeveria i ka miratuar propozim-amendamentet, Marrëveshja e Ohrit do të vendoset në Preambulë

Çfarë pas diskutimit në Komisionin për Çështje Kushtetuese?

Pas miratimit të draft amendamenteve kushtetuese në Komisionin amë, të njëjtat do të kalojnë edhe nëpërmjet kontrollit Komisionin Juridik-Ligjvënës, në përbërje të Sonja Mirakovska – kryetare, Frosina Remenski – zëvendëskryetare, dhe anëtarëve: Kostadin Kostadinov, Betiane Kostov, Sashko Kostov, Beti Naumovska, Ejup Alimi, Vesel Memedi, Zoran Ilioski, Nada Cipusheva, Vesna Pemova, Pavlinçe Çestojnova, Ivan Stoilkoviq, Nevenka Stamenkovska dhe Fadil Zendeli.

Kurse zëvendësanëtarë janë: Enes Ibrahimi, Mira Sojeçevska, Ilija Nikollovski, Mirosllav Jovanoviq, Samka Ibraimovski, Agim Shaqiri, Surija Rashidi, Bllagica Llasovska, Emilija Aleksandrova, Nikolla Micevski, Ivan Ivanov, Liljana Popovska, Dafina Stojanovska dhe Afrim Gashi.

Pasi që Kuvendi me shumicë absolute, gjegjësisht me përkrahjen e 61 deputetëve do të deklarohet për çdo amendament të amendamenteve kushtetuese, do të caktohet seancë për ndryshim të Kushtetutës për të cilën është e nevojshme shumicë prej dy të tretave dhe me këtë bëhet ndryshimi i Kushtetutës.

LEXO: Pesë kaluan, kanë ngelur edhe 10 hapa deri në ndryshimin e Kushtetutës

Ndryshimet kushtetuese parashihen me marrëveshjen e Prespës e cila është kusht për nisjen e procesit integrues të Republikës së Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button