Ai tha se vendi po kalon nëpër sfida shumë të rëndësishme.
“Do të flas në mënyrë më të veçantë, për shkak të pozicionit gjeografik. Mund të dëgjoni në të majtë e në të djathtë, por të jeni të sigurt se Mitrovica është e shenjtë, aq sa është për secilin flamuri kombëtar. Është e shenjtë, aq sa është i shenjtë varri i Isa Boletinit. Është i shenjtë sovraniteti, integriteti i shtetit të pavarur dhe sovran, jo vetëm në Mitrovicë, por flamuri i Kosovës duhet të valëvitet edhe në Zveçan e në Leposaviq. Dua të them edhe diçka tjetër, sa është e shenjtë për ju, është e shenjtë edhe për mua, edhe për Hashim Thaçin”, tha Veseli.
Siç thuhet në njoftim, lideri i PDK-së ftoi të gjithë qytetarët e Mitrovicës që të bashkohem me PDK-në gjatë procesit zgjedhor partiak, për të punuar së bashku në zhvillimin e qytetit të Mitrovicës.
“Ka nevojë Kosova për një adresë të sigurt politike, e cila i krijon siguri, e cila i krijon zhvillim, emancipim. Për t’i arritur sukseset në sfidat e reja politike, Kosova ka nevojë për një adresë të fuqishme politike. Një adresë e cila ka vizion, gatishmëri, ka dashuri për shtetin, ka dashuri për njerëzit e Kosovës. E kjo është platforma jonë e Dekadës së Re, për besim, zhvillim e integrim, kjo është platforma e PDK-së”, tha Veseli, ndërsa theksoi se nuk do të lejojë që asnjë njeri me elemente korruptive të jetë pjesë e PDK-së.
“Ata që e shkelin ligjin, do të përballen me ligjin. Nuk do të lejoj Partia Demokratike e Kosovës asnjë element korruptiv dhe asnjë të korruptuar brenda partisë”, tha Veseli.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, ndërkaq, foli para qytetarëve të Mitrovicës për sukseset dhe projektet që lidershipi i PDK-së ka realizuar në dekadat e kaluara, thuhet në njoftimin e PDK-së.