“Bombë” e re, Janakieski: Do t’i japin listat e administratorëve dhe do të luajnë valle

Në Gjykatën Penale të Shkupit sot ka vazhduar gjykimi për lëndën “Titanik” të Prokurorisë Speciale Publike për parregullsitë zgjedhore. Në seancë janë të pranishëm të akuzuarit Nikolla Gruevski, Martin Protugjer, Kiril Bozhinovski, Mile Janakieski dhe Edmond Temelko dhe të tjerët, njofton Portalb.mk.

Në sallën gjyqësore janë lëshuar biseda të përgjuara telefonike, të cilat deri më tani nuk janë dëgjuar në opinion. Në to mund të dëgjohet se si ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski kërkon lista të të punësuarve në administratën shtetërore dhe publike, të cilët jetojnë në Qendër.

Nëpërmjet taksi-kompanive të afërta me pushtetin e VMRO-DPMNE-së ka kryer trysni ndaj taksistëve që të votojnë. Kanë pasur skemë për organizim të votimit – votuesi fillimisht kanë shkuar në shtab, ndërkaq më pas me shoqërim kanë shkuar të votojnë në vend-votim.

Gjendja me votuesit në lagjen “Debar Mahallë”, nuk ka qenë e kënaqshme dhe janë kërkuar lista me të punësuarit në administratë që të kryejnë trysni që ta votojnë ish kryetarin e Komunës Qendër, nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Vlladimir Todoroviq. Pos tyre, është kryer trysni edhe ndaj të burgosurve.

Në një “bombë” dëgjohet se si ish sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev merret vesh me Janakieskin për përpilimin e një liste me votues. Përpara se të shkojnë të votojnë, të gjithë janë mbledhur në komitetet lokale të raportojnë, dhe më pas kanë shkuar në vendvotime, transmeton Portalb.mk.

Nëpërmjet Agjencisë për Punësim kanë hartuar lista me të gjithë të punësuarit në Komunën Qendër dhe në ndërmarrjet shtetërore dhe private, në mesin e të cilëve janë MEPSO, ELEM, Telekom, Dogana dhe DAP, por edhe aktorët e punësuar në institucionet nën kompetenca të Ministrisë së Kulturës. Nga ana tjetër, nga Koçani është dashur që me 6 autobusë të sillen për votim, maqedonas nga Italia.

“Do ta japin listën dhe valle do të luajnë”, dëgjohet duke thënë Janakieski në një bisedë telefonike me kryetaren e Unionit të Grave të VMRO-DPMNE-së, Daniella Rangellova, e cila tregon se si Komuna Qendër duhet që të transformohet në një makineri të tyre.

LEXO KËTU PËR MË SHUMË RRETH RASTIT – “TITANIK” 

Në seancën paraprake të 18 tetorit, janë dëgjuar rreth 90 “bomba”. Në Titanik janë propozuar më shumë se 1.000 audio-incizime në listën e dëshmive materiale nga PSP, prej të cilave deri më tani janë dëgjuar më shumë se 600.

Pjesa më e madhe nga “bombat” e seancës paraprake janë nga 24 marsi i vitit 2013, për zgjedhjet lokale, në të cilat dëgjohej se si Mile Janakieski u është lajmëruar disa personave të caktuar që të informohet se si është duke shkuar dalshmëria e votuesve në Komunën Qendër.

Në biseda dëgjohej Mile Janakieski duke u thënë personave të caktuar që të bëjnë trysni më shumë në qendrat lajmëruese, që të dalin sa më shumë njerëz në votim, ndërkaq më pas aktivistët e partisë t’u shkojnë njerëzve derë më derë, për t’i ftuar që të votojnë.

Bombat e publikuara në gjykatë për “Titanik”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button