Site icon PORTALB

Projekti “Ndërtojmë urat” bashkon nxënësit e etnive të ndryshme në Shkup

Nxënës nga 27 shkolla nga mbarë vendi u mblodhën për një ditë plotë zbavitje dhe argëtim si pjesë e aktivitetit vjetor të Fondit “Ndërtojmë urat”, të organizuar sot nga Misioni i OSBE-së në Shkup.

Shkollat ​​përfituan nga Fondi “Ndërtojmë urat”, i cili ndan grante të vogla për aktivitete të përbashkëta në shkolla me gjuhë të ndryshme mësimore.

“Ne në OSBE besojmë se krijimi i lidhjeve midis nxënësve nga komunitete të ndryshme është jashtëzakonisht e rëndësishme. Për këtë arsye, ne vazhdojmë të mbështesim Fondin për Ndërtimin e Urave së bashku me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe përmes bashkëpunimit tonë të sapokrijuar me Ministrinë e punës dhe politikës sociale,” tha Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadori Clemens Koja.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi shtoi: “Projekti është një rrëfim i suksesshëm për katër vjet tashmë dhe synon njohjen e gjeneratave të reja me etikën dhe vlerat për tolerancën, respektin dhe mirëkuptimin e dallimeve, zakoneve kulturore dhe fetare, si dhe traditën e bashkësive etnike. Qëllimi përfundimtar është që këto vlera të përfshihen në secilin person të ri. Është mënyra e vetme për të siguruar unitet të shoqërisë, si një nga themelet e një shteti stabil, të fortë dhe me prosperitet.”

Ngjarja “Ndërtojmë urat së bashku” është një projekt i përbashkët nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Misioni i OSBE-së në Shkup, Ambasada e Holandës dhe qeveritë e Shteteve të Bashkuara, Austrisë dhe Italisë. Ai mbështet aktivitetet e përbashkëta në shkolla duke përfshirë nxënës nga të gjitha komunitetet dhe me gjuhë të ndryshme me qëllim për të rritur ndërveprimin, mirëkuptimin dhe integrimin në mjedisin shkollor.

Exit mobile version