Indonezi, rritet numri i viktimave nga tërmeti dhe cunami

 Është rritur në 1.763 numri i personave që kanë humbur jetën nga tërmeti dhe cunami në ishullin Sulawesi të Indonezisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Koordinatori i Ministrisë së Sigurisë dhe Drejtësisë në Indonezi, Wiranto, ka njoftuar se deri më tani kanë humbur jetën 1.763 persona si pasojë e tërmetit dhe cunamit.

Ai thotë se zyrtarët po përpiqen të përcaktojnë numrin e të zhdukurve.

Në një deklaratë nga BNPB thuhet se si pasojë e tërmetit dhe cunamit janë plagosur më shumë se 2.600 persona dhe se deri më tani janë varrosur 755 trupa të pajetë.

Duke bërë të ditur se 67.000 shtëpi dhe rreth 3.000 shkolla kanë pësuar dëme nga kjo fatkeqësi, BNPB thotë se 63.000 persona po strehohen nëpër tenda.

Më tej thuhet se në operacionet për kërkim dhe shpëtim në Palu dhe Dongala janë angazhuar më shumë se 7.000 policë dhe ushtarë. Tërmeti dhe cunami deri më tani ka shkaktuar dëme prej 658 milionë dollarësh.

Ishulli Sulawesi të premten u godit nga një tërmet i fuqishëm, i cili shkaktoi cunami të lartë nga tre deri në gjashtë metra në qytetet Donggala dhe Palu. Tërmeti me intensitet 7,5 ballë ndodhi 27 kilometra në veri të Gjirit të Palus, treguan të dhënat e Institutit Amerikan për Vrojtime Gjeologjike (USGS).

Indonezia shtrihet në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrtë e Paqësorit”, ku tërmetet dhe shpërthimet vullkanike janë të shpeshta.

Tërmetet që goditën ishullin Lombok të Indonezisë në fund të korrikut dhe në muajin gusht me magnitudë 6.3, 6.9 dhe 7 ballë shkaktuan vdekjen e 563 personave ndërsa mbi 450 mijë u dëmtuan.

Më 26 dhjetor të vitit 2004, Indonezia u godit nga një tërmet tejet i fuqishëm me intensitet 9.1 ballë, i cili u pasua nga cunami, si pasojë e të cilit humbën jetën 230 mijë persona në një territor që përfshiu edhe shtete të tjera të rajonit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button