“Vetëvrasësi” në regji të Sulejman Rushitit sot shfaqet në FMT 2018 (FOTO)
Regjisori nga Maqedonia, Sulejman Rushit me shfaqjen “Vetëvrasësi” të realizuar në Teatrin “Andon Zako Çajupi” – Korçë, do të marrë pjesë në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit (FMT), transmeton Portalb.mk.
“Vetëvrasësi” do të shfaqet sot, më 28 shtator, me fillim prej ora 21:00 në sallën “400” të skenës së re ArTurbina në Tiranë.
Autor i shfaqjes “Vetëvrasësi” është Nikolai Erdman, kostumografinë e ka realizuar Berndarda Gjata, muzikën Ardian Jorgji, kurse në skenë shfaqet nëpërmjet aktorëve: Neritan Liçaj, Elia Zaharia Zogu, Zamira Kita, Olta Gixhari, Klodjana Keco, Albano Prodani, Paola Kodra, Shkëlqim Jaupi, Mateus Frroku, Blerta Belliu, Ilda Pepi, Valentinë Hamati dhe Antonio Tole.
Semion është një i ri i papunë, i cili beson se përgjigja ndaj problemeve të tij është të mësojë të luajë instrumentin tuba. Plani i tij dështon dhe ai vendos të kryejë vetëvrasje. Fqinji i tij, Aleksandër Petroviç, vendos të përfitojë nga mjerimi i Semionit, duke shfrytëzuar vetëvrasjen e tij për të fituar para. Në këtë pikë, Semion e gjen veten të manipuluar nga njerëzit të ndryshëm që përfaqësojnë botën e biznesit, të arteve, të punëtorëve etj. Gjatë rrjedhës së ngjarjes, secili personazh nxjerr në pah anën më të keqe të personalitetit të tij, e gjitha kjo e mbuluar me humor.