Site icon PORTALB

Pastrohet xhamia Mustafa Çelebiu

Foto arkiv

Foto arkiv

Me bekimin e Myftinisë së Strugës dhe BFIM-së  si dhe aprovimin edhe të Drejtorisë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore ka filluar aksioni për pastrimin e mbetjeve inerte të shkaktuara nga ndërhyrja e mëhershme në Xhaminë “Mustafa Çelebiu” në qytetin e Strugës.

Myftiu në detyrë i Strugës, Salim Sulejmani, thotë se ky aksion ndërmerret në funksion të përgatitjes së terrenit për fillimin e punimeve për renovimin e këtij objekti fetar.

Ai potencon se punimet do të vazhdojnë në një kohë optimale, por për këtë çështje do të vendos organi më i lartë fetar në vend, BFIM-ja.

Salim Sulejmani prej në fillim të qershorit kryen funksionin e myftiut të Strugës, në cilësinë e koordinatorit të përkohshëm të saj, deri në zgjedhjen e Myftiut të Strugës, zgjedhje të cilat do të konvokohen së shpejti në bazë të normave dhe Kushtetutës së Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni.

Në këtë post Salim Sulejmani zëvendësoi ish myftiun, Ferat Polisi, i cili më 4 qershor u suspendua dhe u shkarkua nga BFIM.

Ky ndryshim i menjëhershëm i titullarit në Myftininë e Strugës, erdhi si rezultat i debatit të madh që u hap pas ndërhyrjeve që u bënë në Xhaminë “Mustafa Çelebiu”, me qëllim të zgjerimit të këtij objekti fetar me bekimin e ish myftiut Ferat Polisi, të cilit ky hap i kushtoi me shkarkim dhe suspendim nga BFIM./portalb/

Exit mobile version