Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar se SHBA-të do të veprojnë në rast se regjimi sirian i Bashar al-Asadit përdor armë kimike.
Fjalimin e tij në sesionin e 73-të në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), Trump e nisi duke u shprehur se, “Qeveria jonë në një kohë të shkurtër në më pak se dy vite ka arritur sukses pothuajse më shumë se çdo qeveri në historinë e vendit”.
Kjo shprehje e presidentit Trump ka shkaktuar të qeshura në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ndërsa Trump duke buzëqeshur është shprehur “Nuk e prisja këtë reagim, por ska problem”.
Pasi ka vlerësuar edhe bisedimet bërthmore të zhvilluara mes SHBA-ve dhe Koresë së Veriut, Trump tha se, “Dëshiroj të shpreh falenderimet për guximin dhe hapat që ka hedhur lideri i Koresë së Veriut Kim”.
Ndër të tjera, Trump ka shtuar se sanksionet ndaj Koresë së Veriut do të vazhdojnë deri në çarmatimin e plotë të saj nga armët bërthamore.
Në lidhje me situatën në Siri, duke e cilësuar si një tragjedi, Trump ka paralajmëruar regjimin për armët kimike ku ai ka vënë theksin se SHBA do të veprojë në rast se regjiimi i Asadit përdor armët kimike.