Site icon PORTALB

Papa u thotë letonezëve të çmojnë lirinë “e fituar me vështirësi”

FOTO-REL

FOTO-REL

Në ndalesën e dytë të turneut në Baltik, Papa Françesku u bëri thirrje letonezëve të çmojnë lirinë e tyre, të fituar me vështirësi, dhe lavdëroi, siç u shpreh ai, frymën e krishterë që e ka ndihmuar Letoninë të durojë pushtimin sovjetik dhe atë nazist, njofton REL, transmeton Portalb.mk.

Në një fjalim në Rigë, Papa tha se historia duhet t’i rikujtojë letonezët për rëndësinë e lirisë dhe të pavarësisë.

“Ju të gjithë e dini çmimin e kësaj lirie, që është dashur ta fitoni disa herë”, tha Papa.

Ai po ashtu vuri kurora me lule në Monumentin e Pavarësisë në Rigë.

Gjatë turneut në Baltik, Papa qëndroi edhe në Lituani, ku nderoi hebrenjtë që janë ekzekutuar ose dërguar në kampe të vdekjes gjatë pushtimit trevjeçar nazist, si dhe lituanezët që janë dëbuar ose shtypur gjatë dekadave të pushtimit sovjetik.

Papa do të vizitojë edhe Estoninë, e cila së bashku me Lituaninë dhe Letoninë kanë qenë pjesë e Perandorisë Ruse.

Tri vendet e Baltikut janë pushtuar nga Bashkimi Sovjetik më 1940 dhe nga Gjermania gjatë Luftës së Dytë Botërore, më 1941-1944.

Ato kanë shpallur pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik më 1991 dhe i janë bashkuar Bashkimit Evropian dhe NATO-s më 2004.

Exit mobile version