Site icon PORTALB

ILLYRICUM LIBERTAS: MPB mos t’i dëbojë shqiptarët nga Gostivari

ILLYRICUM LIBERTAS apelon deri te MPB mos të arrestojë shtetas shqiptar

ILLYRICUM LIBERTAS apelon deri te MPB mos të arrestojë shtetas shqiptar

Sh.m.a.i.k ILLYRICUM LIBERTAS – Tetovë, reagon ndaj aksioneve të fundit të MPB në rajonin e Gostivarit dhe Tetovës, me çrast janë arrestuar dhe më pas deportuar një numër i madh i shtetasve të Republikës së Shqipërisë.

“Në të shumtën e rasteve bëhet fjalë për banorë me origjinë nga zonat e thella verilindore të vendit që duke qenë në gjendje të rëndë ekonomike-sociale, gjatë muajve të verës qëndrojnë në Pollog me shpresën e sigurimit të ekzistencës së familjeve të tyre. Aksionet tashmë të përsëritura disa vite me radhë nga MPB e Gostivarit dhe Tetovës, na sjellin në kujtesë  veprimet e dikurshme greke të tipit  “Fshesa”, të motivuara politikisht dhe me pasoja të rënda për shtetasit shqiptar” thonë nga IL.

Sipas tyre, policia e Tetovës dhe Gostivarit ka shumë punë tjera për të rregulluar në qytetet në fjalë të cilat gëlojnë nga hajdutë e kriminelë të ndryshëm vendas, që bredhin të lirë rrugëve duke paraqitur rrezik të madh për pronën, dinjitetin e deri edhe jetën e qytetarëve tanë.

“Apelojmë që MPB të bëjë punën e vet për të cilën paguhet nga taksapaguesit dhe të mos bjerë pre e aksioneve të motivuara politikisht të përzënies së varfanjakëve shqiptarë nga Kukësi apo Librazhdi, që këtu janë të mirëpritur nga popullata shqiptare dhe ndjehen si në shtëpitë e tyre. ” apelojnë nga IL./portalb/

Exit mobile version