Sekretari i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhejms Matis sot ka qëndruar në Shkup, ku ka realizuar takime me ministren e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, kryeministrin Zoran Zaev dhe presidentin, Gjorge Ivanov, transmeton Portalb.mk.
Mesazhet që u thanë në Shkup ishin: “Qytetarët të dalin në referendum”, “SHBA-ja me vendosmëri është duke e mirëpritur Maqedoninë në Aleancë” dhe se “Armata e Maqedonisë ka dëshmuar se është e përgatitur që të ndihmojë në sigurinë dhe paqen globale, duke marrë pjesë në misionin e Afganistanit, Irakut dhe Krivollakut”.
Portalb.mk, ju sjell në mënyrë kronologjike takimet dhe fjalimet e Matis në Shkup.
_______________________________________________________________
13:50 – Ivanov – Matis: Maqedonia mbetet partner strategjik i SHBA-së
Në takimin ndërmjet sekretarit të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhejms Matis dhe presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov janë shkëmbyer qëndrimet për zhvillimet aktuale politike në Maqedoni dhe është vlerësuar se shteti mbetet partneri strategjik stabil për SHBA-në, transmeton Portalb.mk.
“Në takim janë shkëmbyer qëndrimet për zhvillimet aktuale politike në Republikën e Maqedonisë, për perspektivën euroatlantike të vendit dhe për bashkëpunimin bilateral ndërmjet dy shteteve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Presidenti Ivanov ka theksuar se Republika e Maqedonisë mbetet partneri strategjik stabil për SHBA-në dhe se edhe më tej do të përkushtohet për siguri, liri dhe përparim demokratik në rajonin dhe aktivisht do të kontribuojë në aktivitetet e përbashkëta në luftën kundër terrorizmit dhe kërcënimet tjera të nivel global”, njoftojnë nga Presidenca e Maqedonisë.
LEXO: Ivanov – Matis: Maqedonia mbetet partner strategjik i SHBA-së
11:30 – Matis – Zaev – Shekerinska: Armata e gatshme për t’u bërë pjesë e NATO-s
Armata e Maqedonisë është e përgatitur që Maqedonia të jetë anëtarja e 30-të e NATO-s, sepse ajo ka dëshmuar se është partner dhe kontribuues i madh në qetësinë dhe sigurinë globale, transmeton Portalb.mk.
Sekretari amerikan, Matis duke thënë se: “Ushtarët tuaj qëndrojnë ballë për ballë në misionin e Afganistanit, Irakut, Krivollakut dhe në sigurinë kibernetike”, tha se raportet në mbrojtje ndërmjet SHBA-së dhe Maqedonisë do të jetë edhe më e fuqishme.
“Raportet në Mbrojtje ndërmjet SHBA-së dhe Maqedonisë është e fuqishme, dhe bëhet edhe më e fuqishme dhe fuqizohet me vlerat demokratike të cilat i ndajmë. SHBA e njeh faktorin tuaj si të rëndësishëm në stabilitetin botëror. Shteti i juaj dëshmoi se është partner dhe kontribuues i madh në qetësinë dhe sigurinë globale, duke shërbyer në shumë iniciativa të mëdha në kuadër të Kartës së Adriatikut, duke marrë pjesë në misionet e NATO-s, Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian”, tha Matis.
LEXO: Matis – Zaev – Shekerinska: Armata e gatshme për t’u bërë pjesë e NATO-s
_______________________________________________________________________
11:45 – Matis duke cituar Merkelin dhe Stoltenbergin u tha qytetarëve: Votoni në referendum
Duke cituar kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe përfaqësuesin e NATO-s, Jens Stoltenberg, sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhejms Matis ftoi qytetarët e Maqedonisë që të dalin dhe të votojnë në referendumin e 30-të shtatorit, transmeton Portalb.mk.
“Shteti juaj sapo e shënoi përvjetorin e pavarësisë, kur 95 për qind e qytetarëve janë “për” që të jetojnë në liri, siç thuhet në himnin tuaj. Prandaj në këtë formë edhe ju do të vendosni në referendum, që të shkoni drejt një ardhmërie të re. Do ta citoj Merkelin, duke thënë se votoni në referendum, që të bëheni pjesë në BE. Ju përkrahim juve dhe miqtë tanë maqedonas, në realizimin e votës dhe obligimit demokratik. Ashtu siç tha Stoltenberg, duke u bërë pjesë në Aleancës, ju do të fitoni siguri më të madhe. Ne jemi të vendosur që të ju dëshirojmë mirëseardhje në aleancën tonë”, tha Matis.
LEXO: Matis duke cituar Merkelin dhe Stoltenbergin u tha qytetarëve: Votoni në referendum
_______________________________________________________________
10:30 – Matis pritet nga kryeministri Zaev
09:30 – Matis realizoi drekë pune me ministren Shekerinska
_______________________________________________________________________
09:00 – Matis arrin në Maqedoni
09:00 – Zëdhënësi i Pentagonit: Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe BE është ankthi më i madh i Rusisë
Paraprakisht, zëdhënësi i Pentagonit, Erik Peon ka thënë se Matis do t’i ftojë qytetarët e Maqedonisë të votojnë për referendumin dhe gjithashtu do t’i theksojë pesë milionë dollarët që i siguron SHBA në vit për përkrahje të sigurisë.
“Rusia përpiqet t’i bind maqedonasit se Perëndimi do t’i lëshojë dhe se Rusia është për ndikim stabil në rajon. Kjo nuk është e vërtetë. Ndryshimi i emrit dhe hyrja e vendit në aleancë do ta ulë ndikim e Moskës. Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO është një ndër ankthet më të mëdha për Rusinë”, deklaroi Peon për “New York Times”.
LEXO: Zëdhënësi i Pentagonit: Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe BE është ankthi më i madh i Rusisë
Përndryshe, sot në Shkup do të qëndrojë edhe eurokomesari, Johanes Han dhe pritet të vijë edhe ministrja e Mbrojtjes e Italisë, Elizabeta Trenta.