Nisin punimet në Qendrën Turistike ”Borea”: Muhaxheri shpërthen në lot, thotë së po realizohet një ëndërr e madhe (Video)
Kompleksi i skijimit rekreativ-sportiv “Borea” në Pejë, ka nisur sot procesin e ndërtimit pas një periudhe të gjatë.
Në ceremoninë hapëse të këtij resorti ishin të pranishëm përfaqësuesit e konsorciumit fitues “Fileit” dhe përfaqësues të Komunës së Pejës. Në mesin e të pranishmëve ishte edhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Muhaxheri, ka thënë se “tash po realizohet një ëndërr e këtij qyteti të madh” dhe e tij. Gjatë fjalës së tij, Muhaxheri nuk ka mundur ti mbaj lotët, transmeton Telegrafi.
“Kemi ëndërruar me realizua një projekt që ndoshta i vogël, por është një ëndërr e madhe. Një vizion që këtij qyteti mi jep jetë. Në kohën e globalizimit që e ka përfshi krejt botën, një ëndërr si Borea do t’i shërbej gjeneratave të ardhshme. Ky projekt nuk po realizohet për Gazmendin, por për gjeneratat e reja. Ata që kanë lindur në këtë qytet të madh, ta kujtojnë këtë ditë se ëndrrat e tyre të mëdha do të realizohen, falë një ëndrre të vogël që ne po e realizojmë sot”, ka shtuar Muhaxheri.
Ndryshe, “Borea” po konsiderohet si qendra më e madhe turistike në rajon. Kjo qendër është vetëm 900 metra larg qendrës së qytetit të Pejës, ndërsa pozita gjeografike e bën atë njërën ndër qendrat më të mira në rajon.