Tre vite nuk kanë qenë të mjaftueshme që autoritetet ta sanojnë rrugën në Reçicë të Vogël, e cila gjatë vërshimeve të gushtit të vitit 2015-të thuajse tërësisht është shkatërruar. Banorët shprehen të revoltuar, Komuna e Tetovës, nuk jep përgjigje, shkruan Portalb.mk.
Rruga në Reçicë të Vogël që është dëmtuar nga vërshimet e gushit të vitit 2015-të vazhdon të jetë në gjendje të rëndë. Pamjet që i ka siguruar Portalb.mk, tregojnë se rruga është në gjendje të keqe, ndërkaq Komuna e Tetovës, nuk jep përgjigje në lidhje me atë se a e kanë në plan që të njëjtën ta rregullojnë.
Banorët për Portalb.mk, shprehen të revoltuar, duke thënë që vetëm po mashtrohen, ndërkaq edhe pas 3 viteve ende rruga nuk është sanuar.
“E shikoni se në çfarë gjendje jemi, nuk është duke u bërë asgjë, këtu vetëm shikohet se si të pasurohen njerëzit dhe nuk janë duke punuar asgjë. Është turp të shihet kjo zonë e qytetit, jemi të lënë pas dore dhe askujt nuk është duke i interesuar për asgjë, nuk e di çka të them, mund të shohësh, mund të flas sa të dua, por jam i bindur se edhe kjo thirrja ime do të has më vesh të shurdhër“, thotë banori Ametali Rexhepi
Edhe banori Mensur Arifi, thotë se komunës s’i ka interesuar kjo pjesë e qytetit, ndërkaq ai tregon se me vetëfinancim kanë intervenuar në disa pjesë të rrugës, duke hedhur rërë për t’i mbuluar gropat.
“ Rruga është në gjendje të keqe, më shumë kemi intervenuar vetë në disa pjesë të sanojmë rrugën me rërë se ka shumë gropa , edhe ata punë që behën, nuk behën si duhet, jemi shumë keq“, thotë Arifi.
Se në çfarë gjendje është rruga, më mirë flasin fotografitë e mëposhtme që i ka siguruar Portalb.mk.