Site icon PORTALB

A vritet pavarësia!

Florim Zeqa

Florim Zeqa

Ideja e këtij shkrimi më lindi nga një artikull në portalin “Sputnik”, në të cilin shkruante: “Mogherini mund ta marrë çmimin NOBEL për paqe në rast se e arrin  marrëveshjen e paqes mes Serbisë dhe Kosovës”!
Kjo nuk paraqet ndonjë risi, por befasia për lexuesit kosovarë do të ishte fakti se artikulli shkruesi i referohet një burimi të diplomacisë evropiane i cili e konsideron Kosovën, Republikë të vetëshpallur e jo shtet sovran e të pavarur!
Mungesa e përfaqësimit dinjitoz në dialogun e Brukselit
Përderisa bisedimët në mes të Kosovës dhe Serbisë e kanë arritur kulminacionin, asnjëherë deri më tani nuk patëm përfaqësim dinjitoz politik, sepse delegacioni i Kosovës ishte vetëm fizikisht prezent, sa për dekor dhe sa për të kënaqur orekset serbe dhe plotësuar projektet serbo-ruse për ndarjën e Kosovës.
Një situatë e tillë e palakmueshme, vjen si pasojë një lidershipi i përgjegjshëm, të pa vendosur dhe jo kredibil në raport me bashkësinë ndërkombëtare!
Në anën tjetër, edhe BE-ja si organizatë politike, është shndërruar në dorë të zgjatur të Serbisë në Kosovë, duke e ndihmuar Beogradin zyrtar në realizimin e planeve hegjemoniste ndaj shtetit tonë.
Megjithatë, Serbia, kurrën e kurrës nuk do t’i realizonte kaq lehtësisht planet ogurzeza mbi Kosovën pa ndihmen e spiunëve e bashkëpunëtoreve të saj shqipfolës në Kosovë e Shqipëri, të katapultuar në majat e dy shteteve.
Thaçi pas Vuçiqit e Ramës, sikurse “Muqa pas dainjëve”
Dialogu tashmë i filluar për këmbim territoresh, për korrigjim kufijsh dhe ndarjen e Kosovës ka dëmtuar imazhin e shtetit të Kosovës në botë, ka dëmtuar pozicionin e Kosovës në raport me faktorin ndërkombëtar.
Tashmë po dihet qartë se opsionet për ndarje të Kosovës janë përgatitur në Tiranë dhe Beograd nga Vuçiq dhe Edi Rama, ndërsa presidnetit Hashim Thaçi i është ofruar i gatshëm në tavolinë.
Pra, duke qënë të bindur në mbështetjen e parezervë nga Hashim Thaçi, Vuçiq e Rama kanë hartuar strategjijnë e tyre vrastare për shtetin e Kosovës. Futja e opsionit të ndarjes në dialogun e Brukselit, automatikisht ka nxjerrë jashtë agjendës së dialogut çështjen e krimeve të luftës, kërkesën për dëmshpërblim dhe kërkimfalje nga Serbia, si dhe një varg çështjesh tjera me rëndësi kruciale për të ardhmen e shtetit të Kosovës.
Presidenti injorant i Kosovës, me të gëlltitur lehtësisht gjellët e përgatitura në kuzhinat e Beogradit dhe Tiranës është futur në rrugën pa krye, nga e cila do të dali humbës i shumëfisht dhe katastrofal për Kosovën.
Injoranca e skajshme, e ka bërë presidentit Thaçi që të marrë rolin e timonierit për “korrigjim të kufijve”, anipse timonin e mbajnë Federica Mogherini e Aleksandër Vuçiq.
Kjo ka bërë që presidenti Thaçi të humbas përfundimisht kredibilitetin tek qytetarët e Kosovës. Thaçi nga një presidenti unifikues që duhej të ishte sipas kushtetutës, e ka bërë të kundërtën, i ka unifikuar të gjithë kundër tij!
 Nuk ka si të jetë ndryshe, kur dëgjon presidentin e vendit tënd duke kërkuar ndihmë ndërkombëtare për copëtimin e vendit me armiq!
Kjo është e paparë dhe e padëgjuar tek popujt e tjerë të botës!
T’i ndalim veprimet antishtetërore dhe antikombëtare të liderëve tonë
Andaj paraprakisht, kritikave ndaj BE-së në parandalimin e coptimit të trojeve tona etnike, duhet t’u ndalet hovi tradhtarëve. Një gjë e tillë është e mundur me krijimin  e një këshilli kombëtar i cili do të delte me kërkesa të qarta para bashkësisë ndërkombëtare.
Përderisa ne t’i lejojmë liderët (tradhtaret) e korruptuar dhe kriminalizuar deri në fyt  të ulën në tavolinën e pabarabartë të bisedimeve me Serbinë ne Bruksel, nuk kemi si t’i kundërvihemi BE-së për shantazh ndaj lidershipit aktualë!
Kundërshtimet individuale nuk çojnë peshë karrshi invazionit politik të Serbisë, i ndihmuar së fundmi haptas edhe nga BE-ja.
Si asnjë herë më parë, na duhet një mobilizim i përgjithshëm i popullatës dhe mërgatës sonë në parandalimin e copëtimit të trojeve tona etnike.
Bazuar në skenarët që po zbatohen në dialogun e Brukselit, edhe tani pas 20 viteve, shpresa e vetme na mbetet tek gërshetimi i interesave të fuqive të mëdha në Ballkan, veqanarisht e SHBA-ve, Gjermanisë dhe Anglisë, në të kundertën, është e rrezikuar seriozisht qënja jonë kombëtare, e të mos flasim për shtetin në inkubatorin ndërkombëtar dhe duart e grupeve kriminale…
Vrasësit e pavarësisë së Republikës së Kosovës nuk janë të pakët, nuk ndodhen vetëm në Beograd apo Bruksel, ata i kemi edhe në mesin tonë, të instaluar në majat e pushtetit në Prishtinë e Tiranë!
Patriotizmi i kamulfluar nuk na çon askund, sikurse që na dëmtojnë rëndë akuzat e ndërsjella, sharjet e fyerjet dhe debatet e niveleve të rrugëve e kafeneve.
Të tillët duhet t’i mundim politikisht dhe me ide konkrete e jo me luftë “shtrigash”. Pra duhet të munden me ide të shëndosha, plane dhe projekte të qarta, strategji e platforma të pastra kombëtare
Kërcënimi me kufijtë, shantazh për Asociacionin
Bazuar në projektet e fundit për shkëmbim dhe ndarje territoriale të Kosovës, nuk është më Evropa ajo që ndanë trojet shqiptare, por janë vetë shqiptarët që hartojnë dhe po bëhen pjesë e planeve serbe për ndarjen territoriale të Kosovës.
Injoranca e politikës kosovare shkon aq largë, saqë me ose pa vetëdijen e tyre janë duke u bërë varrëmihësit e shtetit të Kosovës.
“Ideja” e presidentit të Kosovës për korrigjim të kufijve, do të rezultojë me themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe (AKS) apo “Zajednicës” me kompetenca të plota ekzekutive.
Për këtë ide vrastare për shtetin e Kosovës, janë pajtuar edhe shumica e partive politike në Kuvendin e Kosovës, të cilat tani përmes gabimeve të Thaçit po përpiqen të shfajësohen për gabimin historik që e kanë bërë me rastin e pranimit “Zajednicës” në veri të Kosovës.
Kur jemi në këtë segment, nuk bënë pa e përmendur faktin, se dy liderët e partive më të mëdha politike në vend (PDK e LDK) janë nënshkrues të marrëveshjes për Asociacionin në Bruksel (Hashim Thaçi me 19 prill 2013-të, përkatësisht Isa Mustafa me 25 gusht 2015-të).
E gjithë rrëmuja politike me kufijtë po bëhet që popullata kosovare e lodhur nga varfëria dhe denigrimi social, të frikësohen nga rreziku i një lufte të re, me qëllim që ta pranojë qetësisht bosnjëzimin e Kosovës.
Si përfundim të këtij shkrimi, 20 vjet pas video-klipit “A vritet pafajësia”, këngëtarja e mirënjohur Leonora Jakupi ua ka për borxh qytetarëve të Kosovës, që të nxjerrë videoklipin e ri të saj me titull: “A vritet pavarësia”, me tekstin e përpunuar të njëzet viteve më parë!
Exit mobile version