Site icon PORTALB

Nga viti 2019-të, tregtarët patjetër të pajisen me licenca

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi sot realizoi takim pune në zyrat e Odës së Tregtarëve të Maqedonisë, ku para kryetarit të kësaj Ode Ekrem Dolek, përfaqësuesve të Komunës së Çairit dhe të Ndërmarrjes “Skopski Pazar” prezantoi aktet e nënshkruara nënligjore të Ligjit për tregtarët në tregjet e gjelbra, me të cilat rregullohen kushtet dhe mënyrat e organizimit të tregjeve të gjelbra, nga të cilat tregtarët do të kenë beneficione të shumta. Pas takimeve ministri Bekteshi vizitoi tregtarët e Bit Pazarit, të cilët e përshëndetën rregullimin e statusit të tyre.

Ministri Bekteshi para pazarxhinjve tha se pas shumë viteve të kërkesës së tyre, u nënshkruajtën aktet nënligjore nga Ligji për tregtarët në tregjet e gjelbra, të cilat përcaktojnë subjektet që mund të shesin në tregjet e gjelbra, mënyrën e regjistrimit të tregtarëve, si dhe të drejtat dhe detyrimet e tyre.

“Me këto akte nënligjore fillon regjistrimi dhe licencimi i tregtarëve në tregjet e gjelbra, nëpërmjet Odës së tregtarëve të Maqedonisë, të cilën e kryeson Ekrem Dolek, e cila do të ofrojë shërbime për tregtarët në tregjet e gjelbra, ndërsa ne si ministri, pazaret ua kthejmë pazarxhinjëve, sepse me këtë ligj pazarxhinjëve ju mundësojmë evidentim, dhe zyrtarizim të punës së tyre,  lehtësimin e procedurës së regjistrimit të veprimtarisë, obligimet për pagesën e tatimit dhe kontributeve, dhe me këto hapa neve mundësojmë përparim në zvogëlimin e ekonomisë gri, tregtisë joligjore si dhe konkurrencës jolojale’, tha ministri Bekteshi pas takimit. Bekteshi shtoi se me këtë ligj vendoset rend rreth sigurisë së ushqimit, kualitetit të prodhimeve bujqësore dhe shëndetin e bimëve, ndërsa fitues janë edhe pazarxhinjtë, edhe shteti edhe qytetarët. Zgjidhja e statusit të personave fizik përmes regjistrimit të veprimtarisë së tyre tek Oda e tregtarëve të Maqedonisë, do t’ju mundësoj atyre të jenë pjesë e komunitetit të biznesit në Maqedoni”, tha ministri Bekteshi.

Kryetari i Odës së tregtarëve të Maqedonisë, Ekrem Dolek, shprehu kënaqësinë për zgjidhjen nga ana e Ministrisë së Ekonomisë të këtij problemi për tregtarët në pazare.

“Me nënshkrimin e akteve nënligjore përfundon procesi i zbatimit të Ligjit për tregjet e gjelbra të miratuar në fillim të këtij viti dhe ky është një hap i madh në këtë sferë, i cili nuk ishte i rregulluar që nga pavarësia e Republikës së Maqedonisë. Pazarxhinjtë kishin një status të pazgjidhur, të gjithë punonin kokë më vete, dhe ishin burim i konkurrencës jolojale dhe ekonomisë gri. Brenda një kohe shumë të shkurtër të gjitha këto fenomene negative ekonomike do të bëhet histori, dhe angazhimi ynë në bashkëpunim me tregtarët e tregjeve do të vazhdojë përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, furnizimin me produkte me cilësi më të mirë, dhe nga organizatorët e tregjeve do të kërkojmë të përmirësojnë kushtet e punës për tregtarët. Kjo qeveri ka treguar vëmendje për problemet tona si dhe vullnet politik për të gjetur zgjidhje për to”, tha Dolek.

Në Maqedoni tregje të gjelbra ka në mbi 50 komuna, me mbi 15 mijë tregtarë, ndërsa vetëm në Shkup ka 13 tregje të gjelbra, mes të cilave tregu i Bit Pazarit është më i madhi në Maqedoni.

Ndryshe, nga Oda e Tregtarëve njoftojnë se dhënia e licencave do të fillojë s0δ shpejti, ndërkaq përdorimi i tyre do të fillojë, sipas të gjitha gjasave në vitin 2019.

Exit mobile version