Site icon PORTALB

DEMAGOGËT, ZAGAJEVSKI DHE DIM ARNAUTI

Salajdin Salihu

Salajdin Salihu

Në Mbrëmjet Strugane të Poezisë u fol për kozmopolitizëm, për botë pa gardhe dhe pa kufij. Demagogjira të përsëritura ndër vite në këtë manifestim poetik dhe politik. Flitet aty për kozmopolitizëm, por nuk durohet gjuha shqipe. Pikërisht në Strugën me shumicë shqiptare.

Demagogët, që tërbohen kur përmendet gjuha shqipe, thirren në respektimin e kushtetutës, sepse nuk mund ta ndryshojnë kushtetutën e mendjes. Madje, mendjet e errëta shpesh e përsërisin refrenin se shqiptarët kanë më shumë të drejta se sa u takojnë!

II.

Laureati i “Kurorës së Artë” sivjet ishte Adam Zagajewski, njëri nga poetët më të çmuar europianë. Poeti i ekzilit, për të cilin poezia është motra e muzikës, nuk beson se poezia sjell ndryshime të shpejta në shoqëri.

“Njerëzit i dëgjojnë poetët, por kjo nuk mjafton kur keni qeveri të keqe. Poezia nuk mund ta ndalojë keqqeverisjen”, thotë Zagajewski në një intervistë të botuar pas marrjes së çmimit. Poezia, letërsia dhe arti, sipas tij, nuk bëjnë intervenime të shpejta në rrjedhat aktuale shoqërore.

“Janë politikanët që e kanë fuqinë të veprojnë shpejt, por më parë duhen politikanë të mençur, ndërkaq poetët do të vijnë më vonë”, thotë poeti që mendon se botës po i mungojnë politikanët e mirë dhe dyshon nëse ka më politikanë të mëdhenj, të urtë e inteligjentë.

Zagajewski është kundërshtar i nacionalizmit, neonacizmit dhe racizmit. Ai mendon se sot rrojmë në kohë të trishtë, sepse, në vende të ndryshme, rikthehet nacionalizmi dhe fashizmi. Ai beson se nuk është vonë për mposhtjen e së keqes, e cila ndodh ngase njerëzimi ka kujtesë të shkurtër, ngase i ka harruar katastrofat e ndodhura gjatë regjimeve naziste, fashiste e komuniste.

III.

Në këtë manifestim si figura qendrore janë vëllezërit fatkeq Konstandin dhe Dimitar Milladinov. Pak kush e di se mësuesi i Dimitar Milladinovit ishte shqiptari Dhimitër Arnauti, për të cilin na flet shkrimtari dhe mbledhësi i folklorit Kuzman Shapkarevi, i martuar me Elizabetën, vajzën e Dimitar Milladinovit.

Shapkarevi, që e njihte shqipen, botoi një fjalor bullgarisht – shqip dhe mblodhi rrëfime e këngë shqiptare “të dëgjuara nga Zoica A. Malkova, nga Krusheva, për nga fisi shqiptare e pastër“.

Shapkarev shkruan se Dhimitër Mokrajani ose Mokrani, i njohur si Dim Arnauti, ishte shqiptar nga katundi Potkozhan i Pogradecit.

Shkolla e Ohrit, shkruan ai, ishte nën drejtimin e Dimitri Mokrajanit “me origjinë shqiptare nga katundi Podkozhani i Mokrës, paraardhës i Genadievëve të sotëm, që qe shpërngulur në Ohër, ku vdiq nga kolera në vitin 1832, në katundin Velestovë”. (Кузман Шапкарев, За възраждането на българщината в Македония. Неиздадени записки и писма, Sofje, 1984, f. 383- 384).

Dhimitër Arnauti, i cili një kohë jetoi edhe në Kavajë, ishte babai i mitropolitit Genadi Veleshani ose Genadi Dibrani. Kleriku, i tronditur nga vdekja e gruas, ishte mbyllur në manastirin Meteora në Thesali. Më vonë erdhi si prift në Manastirin e Kalishtës në Strugë, ku thirrej Pop Georgi Arnauti për t’u bërë më pas mitropolit i Velesit. Disa trashëgimtarë të tij e mbajnë mbiemrin Genadievët, kurse të tjerë njihen si Popgeorgievët. Kjo familje ka dhënë emra të njohur në politikë, gazetari dhe art…

Dimitar Milladinovi, një ithtar i ideve pansllave, kishte respekt për mësuesin e tij shqiptar, sepse ndikoi në formimin e tij kulturor. Poetët e sotëm nuk kanë respekt për gjuhën e mësuesit të Milladinovit… Ata vazhdojnë të flasin për kozmopolitizëm, për botë pa gardhe e pa kufij…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Exit mobile version