Site icon PORTALB

Veseli deklarohet rreth Blakajt dhe listës së fryrë të veteranëve

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli

Kreu i PDK-së dhe i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se i ka dërguar një letër Këshillit Prokurorial të Kosovës.

E në profilin e tij në Facebook, Veseli ka thënë se “Ushtria Çlirimtare e Kosovës është produkt i drejtpërdrejtë i popullit të Kosovës”, njofton Koha.net.

“Vetëm duke e qenë e tillë, ajo arriti ta përmbushë misionin e saj historik: çlirimin përfundimtar të atdheut. Të jemi të qartë: Liria, që sot e gëzojmë, nuk erdhi vetëm nga pushkët e djemve e vajzave të radhitur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Erdhi edhe nga kontributi i pakursyer i një populli të tërë, nga secili qytetar, që në kohë, vende e me mundësi të ndryshme, u angazhuan për ta bërë realitet ëndrrën e madhe të lirisë”, ka shkruar Veseli.

Sipas tij, ky angazhim gjithë-popullor, në asnjë mënyrë, nuk duhet ngatërruar me çështjen e listave të veteranëve.

“Nga liderët politikë dhe institucionalë të vendit, kam qenë i pari që kam tërhequr vëmendjen se në procesin e verifikimit të statusit të veteranëve të UÇK-së janë duke u bërë gabime, lëshime dhe manipulime. Për këtë, dëshmitë janë në dispozicion të secilit. Mjafton të bëhet një kërkim i thjeshtë në internet. Që nga ajo kohë kam marrë me qindra letra dhe kam takuar dhjetëra ish luftëtarë, të cilët më kanë dëshmuar për manipulimet dhe për padrejtësitë që u janë bërë atyre në procesin e verifikimit. Për këtë, i kam dhënë mbështetje të plotë procesit të hetimeve të këtyre manipulimeve, të cilat, sot, po konfirmohen edhe nga ish komandantët e zonave operative të UÇK-së. Për qëndrimin që kam mbajtur rreth kësaj çështjeje, nga ish prokurori Elez Blakaj jam ftuar të dëshmoj, ftesë së cilës i jam përgjigjur pozitivisht dhe me shumë përgjegjësi”, ka thënë Veseli.

Veseli ka shprehur bindjen se prokurori Blakaj e nisi mirë punën e tij, por ajo mbeti në gjysmë.

“Transparenca e situatës së krijuar rreth tij duhet të bëhet e plotë dhe secili të marrë përgjegjësinë për veprimet dhe mosveprimet e tij. Kushdoqoftë dhe pavarësisht funksionit që ushtron në shtetin e Kosovës. Hetimet e nisura nga prokurori Blakaj duhet dhe do të vazhdojnë. Duhet të intensifikohen. Transparenca dhe përgjegjësia duhet dhe do të jenë të plota. E them këtë si ish luftëtar i UÇK-së, si lider politik e institucional dhe si taksapagues. Kjo nënkupton tri gjëra: Në listat e veteranëve nuk bën të ketë veteranë të rrejshëm, institucionet e shtetit nuk guxojnë të bëjnë asnjë lëshim sa i përket sundimit të ligjit dhe taksat e qytetarëve të Kosovës nuk guxon askush t’i shpërdorojë. Dikush, me të drejtë, mund të pyes se si qëndron familja ime në çështjen e listave të veteranëve. Që nga viti 1991, kur kam dalë në ilegalitet, familja ime ka qenë pjesë aktive e angazhimit tim. Më vonë, të gjithë ishin pjesë e luftës, por vetëm njëri prej tyre është bërë veteran. Kam bërë një veprim të padrejtë me familjarët e mi, duke ua mohuar një të drejtë legjitime, vetëm dhe vetëm që të mos ketë keqkuptime dhe për të dhënë një shembull personal. Faktet janë dhe mund të verifikohen lehtësisht prej kujtdo që dëshiron”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se UÇK-ja u ngrit për t’i dhënë fund një padrejtësie të madhe historike.

“Sot, nuk duhet të lejojmë askënd të bëjë padrejtësi, as në emër të saj dhe as me emrin e saj”.

Exit mobile version