Princ Leka II del me deklaratën e guximshme: Shqipëri-Kosovë të bashkohen në monarki
Në kulmin e debatit për ndarjen e Kosovës apo një rikorigjimi kufijsh me Serbinë, që ka vendosur përballë dy liderë historikë si Hashim Thaçi e Sali Berisha, por edhe aktorë të tjerë të klasës politike në dy vendet, një mendim për çështjen e ka dhënë edhe Princ Leka II.
“Zgjidhja më e mirë për Kosovën dhe Shqipërinë do të ishte bashkimi nën një monarki shqiptare”, është shprehur Princ Leka për “Diell”, citon media britanike “Royal Central”.
Princi i Kurorës thekson se që kur familja mbretërore u kthye nga mërgimi, detyra e tyre ishte të hiqnin barrierat midis shqiptarëve dhe të promovonin unifikimin e trojeve shqiptare në Ballkan. Bashkimi që Leka II propozon, sipas tij duhet të ketë një monark në krye dhe këtë e ilustron me shembullin e Mbretërisë së Bashkuar dhe monarkive të tjera të Europës Perëndimore.
“Një Shqipëri e Madhe, e vendosur si monarki kushtetuese, do të siguronte stabilitet më të madh politik sesa sistemi aktual politik”, thotë ai.
“Familja mbretërore do të respektojë gjithmonë vullnetin e popullit. Të jesh princ apo mbret është një jetë. Të jesh në gjendje t’i shërbesh vendit tënd nuk e shoh si një punë, por si nderin më të madh”, është shprehur ai.
10 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)