Autoritetet e Malajzisë kanë marrë vendim për mbylljen e qendrës për luftë kundër terrorizmit, të cilën vitin e kaluar e hapi mbreti saudit Salman bin Abdulaziz al-Saud, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Mbrojtjes i Malajzisë, Mohamad Sabu, njoftoi se do t’i jepet fund aktiviteteve të Qendrës së mbretit Salman për paqen ndërkombëtare (King Salman Center for International Peace) në Kuala Lumpur.
Arsyeja e mbylljes nuk përmendet, ndërsa theksohet se për menaxhimin e objektit do të autorizohet Instituti për mbrojtje dhe siguri i Malajzisë.
Ish-ministri i Mbrojtjes i Malajzisë, Hishammuddin Hussein, konsideron se mbyllja e qendrës është një humbje e madhe për vendin.
Ministri i Mbrojtjes i Malajzisë, Sabu, nga fundi i muajit qershor njoftoi vendimin për tërheqjen e ushtarëve të pozicionuar në Arabinë Saudite.