Site icon PORTALB

I MADHI DHE I FUQISHMI

Salajdin Salihu

Salajdin Salihu

Njeriu i madh dallon prej njeriut të fuqishëm. Njeriu mund të jetë i fuqishëm dhe të mos jetë i madh.

Njeriu i madh është i ditur. Njeriu i fuqishëm mund të jetë dhe mediokër. Historia njerëzore njeh shumë të paditur që kanë pasur fuqi të tmerrshme në duart e tyre, njeh edhe udhëheqës që nuk kanë ditur as të lexojnë.

Njeriu i madh është bir i veprave të tij. Njeriu i fuqishëm, shpesh herë, është bir i epokës, gjegjësisht i çarjeve të historisë.

Njerëzit e hekurt nuk më magjepsin. Jam adhurues i njerëzve shpirtbrishtë. Të hekurtit lejojnë kasaphana për qëllime të caktuara dhe nuk merakosen se idetë janë të kontestueshme. Njerëzit shpirtbrishtë nuk i merr gjumi nga vaji i një foshnje. Për ata e pakontestueshme është vetëm vdekja, por edhe vdekja, si thotë Herman Hese, mund të shërohet.

Njeriu i madh i mbron mendimet e tij, por pranon se mund të kontestohen. Njeriu i fuqishëm të ndëshkon nëse nuk e pranon edhe çmendurinë e tij.

Njeriu i madh nuk ka nevojë për bashkëpunëtorë, sepse vepra e tij është produkt individual. Njeriu i fuqishëm nuk mund të mbijetojë pa bashkëpunëtorët, adhuruesit, servilët dhe lolot e tij.

Njeriu i madh nuk dëshiron ithtarë që dhunojnë dhe vrasin në emër të tij. Njeriu i fuqishëm ka ithtarë që janë në gjendje të bëjnë marrëzira e krime nëse i konteston idetë e padronit të tyre.

Prej të mëdhenjve nuk kemi pse frikësohemi. Të fuqishmit mund të bëhen të frikshëm me pushtetin e tyre.

Njeriu i madh i kërkon të mëdhenjtë. Njeriu i fuqishëm nuk i toleron më të fuqishmit dhe më të mëdhenjtë se sa ai.

Njeriu i madh vazhdimisht e synon lirinë për vete dhe për të tjerët. Njeriu i fuqishëm nuk është i lirë. Ai është rob i vullnetit të tij. Ai nuk e dëshiron lirinë e të tjerëve, e kufizon atë. Ka frikë nga kërkesat që nuk i pranon konstrukti i tij mendor.

Njeriu i madh nuk fshihet pas askujt. Ai gjithçka bën në emër të tij. Ai është më i guximshëm, sepse nuk mbrohet askush, as nga truprojat dhe ithtarët, sikurse e mbrojnë njeriun e fuqishëm.

Ka plot njerëz të mëdhenj që nuk bien në sy. Ka plot njerëz të vegjël që njihen nga kushdo për shkak të fuqisë së tyre.

E pyetën filozofin kinez, Lao – Tze, se kush ishte i fortë dhe ai tha: “I fortë është ai që i mund të tjerët, i plotfuqishëm është ai që e mund veten”. Njeriu i madh është njeriu i plotfuqishëm. Ai dëshiron paqen me vetveten. Nuk dëshiron të bjerë në sy. Protagonizmi i krijon neveri.

Njeriu i madh i vjen rrallë kësaj bote. Ai, ndryshe nga i fuqishmi, ec pa truproje dhe nuk i duron buzëqeshjet artificiale.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Exit mobile version