-Mësoni sekretet e agjërimit

All-lahu i lartësuar nuk ua ka bërë robërve asnjë adhurim obligim ngaqë Ai ka nevoj për një gjë të tillë sepse Ai është I Lartësuar, mirëpo ai ua ka bërë obligim për  ndonjë urtësi, kuptime madhështore apo qëllim të çmuar, për të mirën e njeriut që do t’i bënë dobi në këtë botë si dhe në botën tjetër.

Çdo besimtar duhet të kupton se qëllimi final i gjithë adhurimeve është nënshtrimi dhe dorëzimi ndaj urdhrave të Krijuesit me një fjalë Islami nuk do të qëndron përveç se nën shtyllat  e nënshtrimi dhe dorëzimit ndaj Zotit të Plotfuqishëm.

Megjithëkëtë nuk donë të thotë se adhurimet në vetvete nuk ngërthejnë dobi dhe urtësi, ndërsa ne musimanët duhet t’i kërkojmë këto sekrete në çdo adhurim dhe pas çdo urdhri dhe ndalese.

Si çdo adhurim tjetër edhe agjërimi i ka sekretet dhe urtësitë e veta që mund t’i prekim këto sekretet duke u shkoqitur në thelbin e agjërimit dhe urtësinë e ligjshmërisë  e këtij adhurimi solemn dhe madhështor.

Sekreti dhe urtësia e parë është e përbashkët me të gjithë adhurimet tjera, pra agjërimi mu ashtu sikurse adhurimet tjera e edukon dhe kalit robin në dorëzim ndaj të Plotfuqishmit dhe nënshtrim ndaj urdhrave të Tij. Momentin që perëndon dielli agjëruesi fillon të hanë ushqim si bindje dhe dorëzim ndaj urdhrit të Plotfuqishmit, të njëjtën e vepron edhe gjatë ditës duke e ndal vetveten prej të hajes dhe pijes e gjithë kjo manifeston nënshtrim dhe dorëzim ndaj urdhrit të All-llahut. Pra çështja nuk është çështje e shijeve dhe deponimit  por çështja ka të bëjë me dorëzimin, bindjen dhe nënshtrimin ndaj urdhrave të krijuesit.

Njashtu agjërimi e edukon dhe kalit njeriun të ndjejë se është i monitoruar nga ana e All-llahut të madhëruar, e edukon që të jetë i sinqertë, të mos vepron për syfaqësi dhe e mos të shtiret e zbukurohet me diçka që nuk e posedon e as zotëron, me një fjalë agjërimi e kalit njeriun të jetë i thjeshtë dhe të jetë profesional duke ia i vlerësuar njerëzit sipas kualitetit e jo sipas ngjyrës dhe pozitës, andaj agjërimi konsiderohet adhurim sekret ngaqë njeriu mund të agjëron dhe mund të mos agjëron e këtë mos ta dij askush prej njerëzve ngaqë është adhurim sekret.

Abstenimi  nga ushqimet e dhe pijet e llojllojta megjithëse kemi mundësi të shijojmë është shenjë se si ndjen se je i monitoruar nga ana e All-llahut, mu për këtë pra ndjenja dhe përjetimi se ti je i monitoruar nga ana e All-llahut  i Lartësuar e dalloj agjërimin prej adhurimeve tjera duke mos i lënë shpërblim të caktuar.

I Dërguari i All-llahut thotë: Çdo punë e birit të Ademit shumëfishohet; puna e mirë i shumëfishohet prej dhjetë deri në shtatëqindfish. Allahu thotë: Përveç agjërimit, i cili është për Mua, dhe vetëm Unë shpërblej për të. Ai largohet nga epshet dhe ushqimi i tij vetëm për Mua”. Pra shkas i abstenimit dhe largimit nga gjitha këto të mira në këtë ditë të nxehta dhe plotë me vapë  është ngaqë njeriu ndjen se është i monitoruar  nga All-llahu i Madhëruar.

Agjërimi edukon njeriun të shpreson në ditën e gjykimit dhe botën tjetër dhe të pres shpërblimin e Plotfuqishmit, e gjithë kjo manifestohet kur agjëruesi largohet nga disa dëshira dhe pasione duke shpresuar shpërblimin e All-llahut në ditën e gjykimit, e gjithë kjo e kalit njeriun në të besuarit e ditës së gjykimit dhe t’i ndërlidhë të gjitha çështjet dhe veprat e tij individuale me këtë çështje ngaqë  lind bindja se nëse vepron mirë do të ketë shpërblim e në të kundërtën dënim.

Agjërimi e edukon njeriun në durim dhe vendosmëri,  durimi nuk shfaqët në ndonjë adhurim siç shfaqet në agjërim, ngaqë njeriu  prej në agim e deri në mbrëmje bënë durim nga gjërat që i dëshiron më së shumti, njashtu bënë durim nga aktet dhe veprat e këqija të njerëzve ndaj ti ngaqë i Dërguari i All-llahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Agjërimi nuk është të ndaluarit nga të ngrënit e të pirit, por ai është të ndaluarit nga fjalët e kota e të turpshme. Nëse dikush të shan apo të ngacmon (të sulmon), ti thuaj: Unë jam agjërueshëm. Unë jam agjërueshëm.

Agjërimi njashtu ashtë edukim dhe kalitje e shoqërisë për të zhvilluar dhe kultivuar ndjenjat e unitetit dhe solidaritetit mes myslimanëve. Agjëruesi kur i sheh njerëzit rreth tij  se janë duke agjëruar sikurse ai përjeton kënaqësinë e unitetit dhe vëllazërisë  ndjenë se është pjesë e këtij komuniteti dhe shoqërie, me një fjalë të gjithë agjërojnë, të gjithë shijojnë emocionet e urisë, të gjithë për një kohë fillojnë dhe të gjithë me një kohë mbarojnë nuk ka dallim e as privilegj të gjithë janë të barabartë nuk ka përjashtime për të pasurit, njerëzit me autoritet dhe famë, mirëpo më i mirë prej tyre është ai i cili është më i devotshëm.

Prej urtësive të agjërimit është që i bënë njerëzit të kujtojnë vuajtjet e urisë dhe t’i kujtojnë nevojtarët dhe fukaranë, të ndaj dhembjet me to, të shijon hidhëtinë i skamjes, ngaqë ai i cili nuk e shijon urinë dhe etjen ndoshta asnjëherë nuk mund të ndjej vuajtjet e tjerëve prej skamnorëve dhe nevojtarëve, nëse ndonjëri prej nesh posedon për ta prishur agjërimin ndoshta të tjerët as këtë nuk e posedojnë.

Këto janë ca sekrete dhe urtësi të agjërimit dhe disa kuptime thelbësore të kësaj vepre madhështore dhe të këtij adhurimi të çmuar, të gjitha këto kuptime dhe sekrete i ka përmbledhur i Lartësuari në fjalën e tij ku thotë: “ O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” [Bekare  183]

Sekreti dhe urtësia e që I Lartësuari e bërë legjislative dhe obligim agjërimin është që njeriu të arrin devotshmërinë,  andaj përderisa agjërimi i ndonjërit nuk është që të arrin rezultatin dhe frytin e agjërimit pra devotshmërinë atëherë agjërimi i tij e ka humbur kuptimin dhe qëllimin  se presa i Lartësuari e bëri obligim, sepse qëllimi i agjërimin nuk është vetëm abstenimi nga të ushqyerit dhe marrëdhëniet seksuale, pa asnjë gjurmë të këtij agjërimi në jetën dhe sjelljen e agjëruesit. Për këtë i Dërguari i All-llahut tha: “Kushdo që nuk e lë dëshminë e rreme dhe të vepruarit me të, Allahu s’ka nevojë që ai ta lërë ngrënien dhe pirjen e tij.”

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Agjërimi nuk është të ndaluarit nga të ngrënit e të pirit, por ai është të ndaluarit nga fjalët e kota e të turpshme. Nëse dikush të shan apo të ngacmon (të sulmon), ti thuaj: Unë jam agjërueshëm. Unë jam agjërueshëm.”

“Ndodh që ndonjë agjërues të mos meriton nga agjërimi i tij veçse uri dhe etje”

“Nëse agjëron le të agjëron dëgjimi yt, shikimi yt, le të agjëron gjuha jote nga gënjeshtra dhe mëkati, largohu nga dëmi i fqinjit, bëhu dinjitoz dhe i qetë ditën që agjëron, e assesi mos e bënë të njëjtë ditën e agjërimit tënd me ditët tjera të rëndomta”

Është e udhës që myslimani t’i mbështes dhe t’i jetëson këto kuptime dhe sekrete të agjërimit, kështu që mos të humbet thelbi i agjërimit e as esenca e saj, që mos të shndërrohet agjërimi në rutinë dhe  traditë që e imponon mjedisi dhe shoqëria./portalb/

Shkruan Hoxhë Abdyl Fuga

Lajme të ngjashme

Back to top button