Asani në New York: Po e rilidhim historinë e fragmentuar shqiptare

Mbrëmë, para një numri të madh të mërgimtarëve shqiptarë, në Komunitetin Mysliman Shqiptar, gjegjësisht Qendrën Islame Shqiptare Amerikane në Nju Xhersi, u promovuan katër vepra të rëndësishme nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH). Bëhet fjalë për dy veprat e drejtorit të Institutit, Skender Asani, me tituj “Shkupi ndërmjet dy luftërave botërore” (dokumente) dhe “Xhemijeti” (monografi shkencore dhe dokumente), si dhe dy numrat e edicionit “Scupi”, që bëjnë fjalë pikërisht për periudhën historike ndërmjet dy luftërave botërore.

Së pari foli Tahir Kukaj nga Qendra Islame Amerikane Shqiptare në Staten Island, i cili e potencoi rëndësinë e këtyre botimeve, sepse – sipas tij – ato i japin ngjyrim të vërtetës së mbarë historiografisë shqiptare. Sipas tij, studiuesi Asani ka bërë punë marramendëse, duke ofruar material të bollshëm shkencor hulumtues dhe arkivor, që e ndriçon dhe ndryshon perspektivën historike për shqiptarët në Maqedoni, por edhe më gjerë.

Pastaj fjalën e mori Sevdail Demiri – historian dhe bashkëpunëtor i lartë shkencor në ITSHKSH, i cili u ndal në veprën dyvëllimëshe të Asanit, “Xhemijeti”, që përfshin titujt “Veprimtaria politike e organizatës Xhemijeti” dhe “Dokumente për veprimtarinë politike të Xhemijetit”, të botuara nga SHB “Logos-A”, duke theksuar se më këtë vepër është plotësuar historia e fragmentuar e zhvillimeve shoqërore-politike të shqiptarëve në Maqedoni.

Pas tij të pranishmëve iu drejtua Zeqirija Ibrahimi, bashkëpunëtor i lartë shkencor në ITSHKSH, i cili foli për veprën dyvëllimëshe me dokumente “Shkupi ndërmjet luftërave botërore”, duke potencuar se kjo vepër e kthen Shkupin në bërthamë dhe epiqendër të shqiptarisë dhe e bën qytet model të bashkëjetesës, jo vetëm ndërshqiptare, por edhe ballkanike.

Në fund para të pranishëmve foli edhe autori dhe drejtor i Institutit, Skender Asani, që – duke u ndalur në edicionet “Scupi” – ritheksoi se këto vepra janë hallkat që e rilidhin historinë e fragmentuar të shqiptarëve në Shkup me historinë tjetër të botës shqiptare. Ai u ndal edhe në punën që e bën Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, si institucioni i vetëm shkencor në mbarë botën shqiptare, që punon me përkushtim për afirmimin e këtyre vlerave, madje falë kësaj pune – sipas tij – janë vendosur ura të drejta bashkëpunimi edhe me Prishtinën dhe Tiranën, po jo vetëm, dhe kjo tashmë po rezulton me veprimtari dhe vepra konkrete shkencore.

Promovimi zgjoi interes te të pranishmit, që shtruan disa pyetje dhe çështje që u diskutuan me përfaqësuesit e Institutit.

Aktivitetet po zhvillohen në kuadër të “Javës kulturore shqiptare në SHBA”, që Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, po e realizon në mesin e komunitetit shqiptaro-amerikan.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button