Zaev ende nuk ka kërkuar nga Policia Financiare të kontrollohet BFI-ja

“Ende nuk ka asnjë paraqitje për BFI-në”, kështu u përgjigj drejtori i Policisë Financiare, Arafat Muharemi, në pyetjen e Portalb.mk, në lidhje me atë nëse ka kërkuar kryeministri Zoran Zaev, që ata të kryejnë kontrolle në Bashkësinë Fetare Islame, pasi që deputeti i LSDM-së, Muhamed Zekiri kërkoi në Kuvendin e Maqedonisë që të mos kursehet reisi Sulejman Rexhepi, njofton Portalb.mk.

“Nuk ka paraqitje, por kjo nuk do të thotë që në të ardhmen nëse ka, nuk do të bëhen kontrolle. Me vetëinciativë s’kemi bërë kontrolle”, u përgjigj Muaremi.

Arafat Muaremi, Polica Financiare
Arafat Muaremi, Policia Financiare

Çështja për kontroll të BFI-së, u shtrua të hënën në Kuvendin e Maqedonisë, kur deputeti Zekiri, në pyetje deputetësh akuzoi se reisi Rexhepi, dyshohet për keqpërdorime dhe kërkoi që të mos jetë i paprekshëm.

“Nëse jemi të gjithë të barabartë, a është “arushë e mbrojtur”, Sulejman Rexhepi, i cili punon në mënyrë të paligjshme. Ai u kthye në BFI me kallashnikov dhe u vendos aty përjetësisht. Institucionin e shndërroi në pashallëk të tij. Ai është kriminel dhe i pandershëm për shkak të mënyrës se si udhëheq. Ai gjithashtu ka keqpërdorur vizat për haxhilerët. Ata, jepen nga Arabia Saudite për një numër të caktuar të besimtarëve, ndërkaq për të njëjtat ai u merr para. Haxhi sivjet është më shtrenjtë për 720 euro. A ka hyrë ndonjëherë në BFI Inspektorati i Punës që të kontrollojë nëse u paguhen imamëve pensioni invalidor. Edhe Policia Financiare a do të hyjë të kontrollojë se si menaxhohet BFI”, pyeti Zekiri kryeministrin Zaev.

Kryeministri Zaev i tha Zekirit se Inspektorati i Punës do të marrë urdhër direkt prej tij që ta kontrollojë.

“Disa institucione janë në kontroll të KOM-it dhe BFI-së, ka procese për shkak Strasburgut. Kjo, megjithatë është udhërrëfyes deri te Qeveria që të kontrollojë nëse paguhen tatime, kompensime etj. Në të gjitha bashkësitë fetare do të veprojmë, ndërkaq do të kemi kujdes edhe që të mos e shkelim sekularitetin. Nëse konstatojmë mangësi, do t’i publikojmë”, tha Zaev.

Ndaj akuzave të Zekirit, ka reaguar BFI duke i hedhur poshtë pohimet e tij si të pavërteta dhe duke vlerësuar se “rruga eurointegruese e shtetit përfundon në momentin e përzierjes në punët e bashkësive fetare”.

“Muhamed Zekiri, me insinuata dhe shpifje të tilla duke u fshehur pas foltores së Parlamentit dhe imunitetit të deputetit, në fakt vetëm sa po ia vështirëson udhëtimin Maqedonisë për në BE, sepse, nuk ka eurointegrime me cenim të të drejtave fetare e njerëzore. Kjo rrugë eurointegruese do të përfundojë në momentin e përzierjes së shtetit në punët e bashkësive fetare. Për këtë krim kundër shtetit dhe shoqërisë në përgjithësi dikush duhet të mbajë përgjegjësi, sidomos Muhamed Zekiri, mentorët dhe përkrahësit e tij që natë e ditë thurin skenarë si ta gjunjëzojnë Bashkësinë Fetare Islame në vendosmërinë e saj për denacionalizim dhe rikthimin e tërë pronës së saj, si dhe të të drejtave që ia garanton Kushtetuta e vendit”, reaguan nga BFI.

Portalb.mk, nuk e transmeton të plotë reagimin e BFI-së, pasi që i njëjti përmban fjalor jo të pranueshëm për normat etike të redaksisë, gjegjësisht fjalor fyes.

Ndaj fjalimit të Zekirit, dje pati reagime nga të gjitha myftinitë e Maqedonisë, të cilat janë nën ombrellën e BFI-së, duke i dalë në mbrojtje reisit.

Ndaj këtyre fjalimeve, sot Zekiri ka deklaruar se të njëjtat janë bërë “nën dirigjim të reisit Rexhepi”.

Maqedoni, mund të ketë ligj për kontrollë si i harxhojnë paratë bashkësitë fetare

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button