Site icon PORTALB

Merkel dhe CSU bëjnë përpjekjen e fundit për ta shpëtuar koalicionin

Kancelarja gjermane Angela Merkel

Kristian Demokratët (CDU) e kancelares gjermane Angela Merkel dhe parnteri i saj i koalicionit, Unioni Kristian Social (CSU), do të takohen në Berlin të hënën në mbrëmje në një përpjekje të fundit për ta shpëtuar qeverinë e koalicionit, njoftuan zyrtarët e partisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kreu i CSU-së dhe ministri i Brendshëm, Horst Seehofer, i cili ka mbështetur një agjendë kundër emigrantëve, ishte kërcënuar me dalje nga qeveria të dielën në mbrëmje, por më vonë shpalosi një afat kohor prej tre ditësh për një kompromis me CDU-në.

Insistimi i Seehofer për një “master plan” kontrovers rreth migracionit ka kërcënuar të ardhmen e partneritetit të vjetër të CSU-së me CDU-në dhe të ardhmen e qeverisë së koalicionit të udhëhequr nga Merkel.

Plani parasheh refuzimin e azilkërkuesve në kufirin e Gjermanisë nëse ata kanë hyrë në BE nga një shtet tjetër anëtar dhe së pari janë regjistruar atje, ose nëse kanë aplikuar për azil dhe u është refuzuar.

Merkel ka kundërshtuar deri më tani planin e Seehofer dhe ka argumentuar se hapat e njëanshëm do të kishin “domino efekt” që do të nxiste shtetet e tjera anëtare të BE-së të kthejnë refugjatët dhe të minojnë përpjekjet e saj për një politikë të gjerë të azilit në BE.

Kancelarja arriti të dakordojë një marrëveshje në samitin e liderëve të BE-së javën e kaluar, e cila parashikoi ndërtimin e “kampeve të migrantëve” brenda dhe jashtë BE-së, ku azilkërkuesit do të detyroheshin të qëndronin gjatë shqyrtimit të kërkesave të tyre nga autoritetet.

Sipas marrëveshjes, vendet anëtare të BE-së do të merrnin refugjatë nga këto kampe në mënyrë vullnetare.

Seehofer kritikoi rezultatin e samitit të BE-së dhe argumentoi se këto masa do të ishin “joefektive” në ndalimin e fluksit të migrantëve që hyjnë në vend duke përdorur rrugët ilegale.

CSU, e cila do të përballet me zgjedhje rajonale në Bavari në tetor, kohët e fundit ka shtuar kritikat ndaj politikës së Merkelit për dyer të hapura për refugjatët, duke thënë se Gjermania nuk duhet të presë shtetet e tjera anëtare të BE-së, por duhet të ecë përpara me masa të njëanshme për të ndaluar migrimin e parregullt.

Gjermania pranoi më shumë se një milion refugjatë vitet e fundit, kryesisht nga Siria dhe Iraku.

Vendimi i Merkelit në vitin 2015 për të hapur dyert për refugjatët që ikin nga konfliktet dhe persekutimet u kritikua gjerësisht nga konservatorët dhe u shfrytëzua nga partitë ekstremiste dhe populiste.

Partia e saj CDU dhe CSU kanë pësuar humbje të mëdha në zgjedhjet federale të vendit të vitit të kaluar, ndërsa partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) shënoi ngritje rekord dhe hyri në parlament për herë të parë.

Aktualisht, CDU e Merkelit, partia simotër CSU dhe partneri i tyre i koalicionit Partia Social Demokratike (SPD) kontrollojnë 399 nga 709 vendet në parlamentin gjerman. 200 ligjvënësit e CDU-së dhe 46 të CSU-së kanë grup të përbashkët parlamentar.

Exit mobile version