Përderisa nga njëra anë mbyllet TV A2, nga ana tjetër Qeveria arriti marrëveshje me gazetarët.
Brukseli përshëndet këtë të fundit ndërsa nuk është prononcuar për të parën.
Petar Stano, zëdhënës i euro komisarit për zgjerim të BE-së Stefan Fyle, tha se marrëveshja e sotme mes Qeverisë së Maqedonisë dhe SHGM-së në lidhje me dekriminalizimin e shpifjes dhe ofendimit është një ndër pikat kryesore të procesit të anëtarësimit dhe se Komisioni Evropian e përshëndet këtë marrëveshje.
Stano tha se marrëveshja e sotme në Shkup është një lajm i shkëlqyeshëm jo vetëm për Qeverinë e Maqedonisë, por edhe për mediumet dhe lirinë e tyre të shprehjes.
“Kjo çështje ishte në fokusin e KE, duke marrë parasysh se çështja e lirisë të së shprehurit dhe lirisë së mediumeve është një ndër pikat kryesore në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në BE dhe njëkohësisht përshëndesim këtë marrëveshje”, theksoi zëdhënësi i Fyle-s.
Sipas Stano, kjo marrëveshje paraqet një zhvillim pozitiv i dialogut në nivel të lartë për anëtarësim i cili po zhvillohet mes Qeverisë së Maqedonisë dhe Komisionit Evropian, një rezultat konkret nga ky dialog dhe dëshmi për efikasitetin e tij. /Portalb