Site icon PORTALB

Deri në qershor të vitit 2019, Bashkimi Evropian pret të ketë dënime dhe burgime në Maqedoni

Zëdhënësi i Qeverisë Maqedonisë, Mile Boshnjakovski

Bashkimi Evropian (BE), kërkon nga Maqedonia që deri në qershor të vitit të ardhshëm të ketë epilog për rastet e filluara gjyqësore për krim të organizuar dhe korrupsion, përfshirë ato të nivelit të lartë, deklaroi sot zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski.

Në konferëncën e rregullt javore për mediat bashkë me zëdhënësin tjetër Muhamet Hoxha, Boshnjakovski ka folur për tre kushtet të cilat i janë dhënë Maqedonisë për realizim deri në fillimin e negociatave me BE-në në qershor të vitit 2019.

Ai tha se autoritetet e Maqedonisë kanë marrë udhëzimet e qarta, për çka tashmë kanë filluar përmbushjen e detyrimeve, sepse vendi do të duhet të tregojë rezultate transparente dhe të qëndrueshme në fushat e kërkuara.

“Në fushën e reformave në gjyqësor, hetime proaktive, prokurori dhe verdikte përfundimtare në raste të korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë këtu nivelet më të larta, ku kërkohet epilog për proceset e filluara, të kemi reforma në shërbimet e sigurisë ku kemi filluar me planin 3-6-9 që do të rezultojë me agjencinë e re OTA, dhe e treta, reformat në Administratën Publike”, tha Boshnjakovski.

Ai tha se qeveria një kohë të gjatë po paralajmëron Planin 18, për çka bëri thirrje për durim, sepse i njëjti do të publikohet së shpejti dhe në të do të jenë të përfshirë të gjithë treguesit se çfarë saktë duhet bërë nga detyrat.

Zëdhënësi Hoxha nga ana e tij, përcolli informacionin se Maqedonia dhe Gjermania, kanë arritur një marrëveshje për njohjen reciproke të patentë shoferëve, me çka, tashmë shtetasit e Maqedonisë të cilët jetojnë dhe punojnë në këtë shtet, nuk do të kenë nevojë t’u nënshtrohen provimeve shtesë, për të gëzuar të drejtën e ngasjes së automjetit.

Sipas tij, Qeveria e Maqedonisë në seancën e djeshme miratoi informatën për nënshkrimin e deklaratës së përbashkët të MPB-së së saj me Ministrinë gjermane për Komunikacion dhe Infrastrukturë për njohjen reciproke të patent shoferit.

“Në bazë të informatave që kemi nga MPB-ja, presim që kjo deklaratë të nënshkruhet së shpejti nga ministritë përkatëse dhe e njëjta të gjejë zbatim në dy vendet. Deri më sot, Maqedonia ka nënshkruar një marëveshje të tillë me shtatë shtete, Spanjën, Italinë, Serbinë, Shqipërinë, Malin e Zi, Bosnjë e Hercegovinën dhe Austrinë”, tha Hoxha për të shtuar se një marrëveshje e tillë pritet së shpejti të nënshkruhet edhe me Republikën e Kosovës.

Exit mobile version