Shërbimet austriake të emergjencës, kanë bërë të ditur se një tren ka dalë nga shinat në hekurudhën lokale në Austri, me ç‘rast dhjetra persona kanë pësuar lëndime trupore. Si pasojë e aksidentit në afërsi të qytezës Völlerndorf në krahinën Austria e Ulët, janë lënduar 27 persona.
Zëdhënësi i shërbimit zjarrfikës në krahinën Austria e Ulët, Franz Resperger në një deklaratë për media tha se aksidenti ka ndodhur si pasojë e rrokullisjes së dy vagonëve të trenit. Ai bëri të ditur se në tren ku ndodheshin 80 pasagjerë janë lënduar 27 persona ndërsa 3 prej tyre janë në gjendje të rëndë.
Resperger tha se të plagosurit janë dërguar në spitalet e afërta.
Ende nuk janë zbuluar shkaqet e aksidentit. Prokuroria e Austrisë së Ulët ka filluar hetimet në lidhje me rastin.