Site icon PORTALB

NATO dënon dhunën në veri dhe bën thirrje për dialog

NATO dënon dhunën në veri dhe bën thirrje për dialog

NATO dënon dhunën në veri dhe bën thirrje për dialog

Komiteti Ushtarak i NATO-s ka dënuar edhe njëherë dhunën ndaj ushtarëve të forcave të KFOR-it në veri të Kosovës dhe ka ftuar palët të nisin dialogun. Gjatë vizitës që i bëri Kosovës, ky Komitet ka vizituar forcat ushtarake të KFOR-it si dhe ka takuar ministrin e Forcës së Sigurisë Agim Çeku dhe zyrtarë tjerë të Qeverisë së Kosovës.

Gjenerali Knud Bartels, udhëheqës i Komitetit Ushtarak ka falënderuar të gjithë pjesëtarët e KFOR-it për punën e madhe që po bëjnë në Kosovë tash e 13 vjet për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.

Ndërkaq, ka dënuar ashpër dhunën ndaj ushtarëve të KFOR-it nga pjesëtarët e komunitetit serb në veri të vendit.

Më 1 qershor, dy ushtarë të KFOR-it dhe të paktën tre serbë lokalë qenë plagosur gjatë aksionit të Forcës Paqeruajtëse për heqjen e barrikadave në Rudarë afër Zveçanit.

Me këtë rast, Komiteti Ushtarak i NATO-s ka bërë thirrje të gjitha palëve të nisin dialogun dhe të shmangin përdorimin e armëve dhe dhunës.

“Armët e zjarrit asnjëherë nuk mund të zëvendësojnë dialogun konstruktiv pavarësisht se sa e vështirë mund të jetë gjendja”, ka thënë Bartels.

Ai tha se KFOR-i do të vazhdoj të sillet mbi mandatin që ka me Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit duke qenë i kujdesshëm dhe i paanshëm dhe duke siguruar lirinë e lëvizjes dhe qarkullimit për të gjithë. Gjenerali Bartels tha se NATO e çmon rëndësinë që ka dialogu që po vazhdon e që sponzorohet nga BE-ja.

Një nga qëllimet e vizitës së Komitetit Ushtarak të NATO-s në Kosovë u tha se ishte që nga afër të njoftohet me punën e KFOR-it dhe më pas ta njoftoj Këshillin Veriatlantik të NATO-s me të gjitha zhvillimet në Kosovë dhe rajon.

Aleanca Veriatlantike nuk do të lejoj përshkallëzimin e gjendjes së sigurisë në këtë pjesë (rajon) janë shpreh zyrtarët e Komitetit Ushtarak të NATO-s. /Infokosova

Exit mobile version