Shefi i Buxhetit të Kosovës, Bedri Hamza, po e sfidon shefin e tij.
Ai ka vendosur ta refuzojë marrjen e pagës me rritje, raporton KTV.
Një javë pasi kishte votuar kundër vendimit të Qeverisë, i cili fuqizonte vendimin e dyfishimit të pagave për kabinetin Qeverisës, Hamza nuk ka pranuar të marrë pagën me rritje e as retroaktivitetin e saj, vendim të cilin e kanë ndjekur edhe këshilltarët e tij.
Vendimi i tij nuk ka kaluar pa komentin e kryeministrit, i cili me cinizëm ka thënë se ministri i Financave, Bedri Hamza, në takimet zyrtare ishte shprehur i gatshëm të zbatonte vendimin e Kushtetueses.
Madje, ai ka thënë se po që se ai do të jetë burrë më i mirë, le të ndihmojë me përfundimin e Ligjit për Pagat.
Kryeministri ka komentuar edhe paralajmërimet e Presidentit Hashim Thaçi për demarkimin e kufirit me Serbinë, për çka ka kërkuar kujdes gjatë dialogut që duhet trajtuar me seriozitetin më të madh.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Komunës së Rahovecit për krijimin e “Zonës Ekonomike” në Rahovec.
Me vendimin e aprovuar nga kabineti qeveritar, është miratuar edhe kërkesa e Komunës së Leposaviqit, për çështjen e 211 punonjësve të Komunës, të cilët kanë qenë në listën e pagave dhe të cilët janë financuar nga buxheti i veçantë i Qeverisë, para nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013.