Site icon PORTALB

HEROSTRATI

Salajdin Salihu

Salajdin Salihu

Te qeniet njerëzore ekziston dëshira për lavdi. Shumëkush, që nuk e ka përjetuar ndonjë lloj lavdie, sado e vogël dhe lokale që të jetë, trishtohet nga paemërsia (anonimiteti).

Dëshira për lavdi, mbase, është frika prej shuarjes së përgjithmonshme.

Njerëzit duan që të kujtohen, prandaj shumëkush tenton të lë ndonjë gjurmë, që do të mbetet pas ikjes së përgjithmonshme. Besohet se kështu sigurohet një formë tjetër ekzistenciale.

Poeti beson se do të kujtohet nëpërmjet krijimtarisë së tij letrare, kompozitori me muzikën e tij, piktori me pikturat, dramaturgu me veprat dramaturgjike, shkencëtari me ndonjë zbulim, arkitekti me një vepër arkitektonike.

Kërkimi i pavdekësisë është trajtuar edhe në librin më të vjetër që njohim, Epin e Gilgameshit. Kur Gilgameshi i humbi shpresat se do të bëhej i pavdekshëm, filloi që të bënte vepra të mira. Nëpërmjet këtyre veprave e përjetësoi emrin e tij. Së paku kështu flasin pllakat.

Lavdia, megjithatë, është barrë e rëndë. “Lavdia, kjo shumë keqkuptimesh”, klithte Rilke.

Erazmoja dëshironte që ta hidhte këtë barrë, por nuk mundi. Tolstoi iku në Jasna Polanën e tij, larg njerëzve, kur ndjeu se më nuk mund ta mbronte të vërtetën e tij.

Në këtë botë ka pasur edhe të marrë, që janë bërë të lavdishëm me vepra të liga. Kanë bërë një marrëzi, një krim, një tmerr dhe, pavarësisht dëmeve që kanë shkaktuar, janë fiksuar në kujtesë.

Është bërë i lavdishëm Neroni që dogji Romën. Dhe Kaligula që e bëri senator kalin e tij. Dhe Hitleri, ky shkaktar i vdekjes së miliona njerëzve.

Disa kanë bërë marrëzira të qëllimshme vetëm që të kujtoheshin. Për njërin shkruan edhe Sartri. Është ky Herostrati. Ai në vitin 356 p.e.s. u bë i famshëm nëpërmjet një akti prej të çmenduri. I vuri zjarrin Tempullit të Artemisit në Efes, një prej shtatë mrekullive të botës antike, vetëm që të bëhej i famshëm.

Termi “herostrat” sot përdoret për njerëzit që bëjnë marrëzira vetëm që të fitojnë lavdi.

Herostratët i kemi kudo.

Herostrati ynë, që mund të jetë president, shkon kundër gjithë botës vetëm që të mbahet mend. Është ankthi që vetë e krijuam…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Exit mobile version