Site icon PORTALB

Siri, ushtria vazhdon masakrat

Vazhdojnë masakrat në Siri

Vazhdojnë masakrat në Siri

Ushtria siriane vrau 17 persona, mes të cilëve fëmijë dhe gra në qytetin jugor të Deraa-s, në kufi me Jordaninë. Aktivistët thanë se bombardimet nisën pak pas lutjes së të premtes dhe i përcaktuan si “histerike”. 

Në shënjestër të sulmit ishte një lagje e banuar, një prej qendrave më aktive të rezistencës kundër regjimit të presidentit sirian, Bashar Al-Assad.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut raportoi se në të gjithë vendin të premten u vranë 44 civilë, gjysma e tyre në provincën e Homsit dhe pjesa tjetër në periferi të Damaskut. Raportoi gjithashtu edhe për 25 ushtarë të vrarë në pesë provinca të Sirisë.
Vëzhguesit e OKB-së vizituan Kubair-in ku u vranë 78 persona mes të cilëve fëmijë dhe gra. Sipas zëdhënëses së misionit monitorues të OKB-së, ata po përpiqen të hedhin dritë mbi rrethanat e kësaj ngjarje si dhe përcaktuan numrin e saktë të viktimave.

Gazetari i BBC-së Pol Danaher që shoqëroi vëzhguesit të premten në fshatin Kubair e përshkroi shokuese gjendjen në fshat. Ai raportoi për shkrumbimin e të gjitha shtëpive dhe erën e rëndë të trupave të djegur./Portalb

Exit mobile version