Fabrika e Jugohromit në rajonin e Tetovës ende larg sistemit të filtrimit

Edhe pse paralajmëruan se në muajin maj publikisht në konferencë për shtyp do të tregojnë se çfarë është ndërtuar në fabrikën “Jugohrom” të rajonit të Tetovës, kjo gjë nuk ka ndodhur ende, shkruan Portalb.mk. Fabrika e ka të ndaluar të punojë pa filtra sepse ndot shumë rajonin e Pollogut.

Sipas asaj që arritëm të kuptojmë, kombinati Jugohrom ka filluar punimet për vendosjen e filtrave, por puna shkon ngadalë, ka filluar vendosja e konstruksioneve metalike të filtrave. Paratë për këtë u dhanë nga Qeveria e Maqedonisë përmes instrumenteve të Bankës Maqedonase për Mbështetje dhe Zhvillim.

Bajram Amiti, kryetar i Sindikatës të punësuarve në Jugohrom thotë për Portalb.mk se kompania Fa-Kom është duke punuar për të ndërtuar konstruksionin e filtrimit.

”Po punohet por nuk e di se për sa do të përfundojë objekti dhe sistemi i filtrimit do të jetë i plotë. Kur i shohim punëtorët në terren kemi shpresa se do të përfundojë deri në fund të vitit” u shpreh ai.

Nga ana tjetër, sërish zëvendësministri i Ekologjisë, Jani Makraduli tha se pa filtra nuk mund të punojë kjo fabrikë.

“Do të hapet kur të jemi të sigurtë se janë vendosur filtrat” tha shkurt ai për Portalb.mk.

Të njejtën e tha edhe zëvendëskryeministrit për çështje ekonomike, Koço Angjushev  gjatë vizitës në Tetovë më 7 maj 2018.

Më 22 tetor 2017 u bë nënshkrimi i memorandumit për mirëkuptim për rihapjen e ndërmarrjes Jugohrom në rajonin e Pollogut i cili parasheh që secila palë e përfshirë në problemin e punës së kësaj ndërmarrje pa standarde ekologjike duhet të përfundojë obligimin e vet dhe parasheh ndërtim të sistemit të filtrave dhe rihapjen e tij pasi të vendosen filtrat.

Memorandumi u nënshkrua nga zëvendëskryeministri Ekonomisë, Koço Angjushev, pronari i ndërmarrjes Jugohrom, Vasko Skenderovski dhe kryetarit të sindikatës së punëtorëve të kësaj ndërmarrje, Bajram Amiti, shkruan Portalb.mk.

Problemi me ndërmarrjen Jugohrom erdhi pasi që kjo fabrikë nuk ka punuar me standarde ekologjike e cila solli deri te ndotja enorme e ajrit në rajonin e Pollogut. Ndotja e ajrit Tetovën e rangoi ndër qytetet evropiane me ndotjen më të madhe të ajrit. Protestat e sektorit civil nuk ishin të pakta, si pasojë e kësaj Qeveria VMRO-BDI në atë kohë i caktoi afat kohor për vendosjen e filtrave deri më 1 nëntor, si vonesë të kësaj, Jugohromi do të mbyllej.

Por, Jugohrom nuk arriti të respektojë afatin kohor, Qeveria nuk iu zgjati afatin kohor dhe në mesin e nëntorit të 2016-s u mbyll.
Pas mbylljes, rreth 900 punëtor mbetën pa punë, të cilët të organizuar në sindikatë punëtorësh, vazhdimisht kanë protestuar për humbjen e vendit të punës. 
Pas mbylljes së Jugohromit, ish-ministri i Ekologjisë, Bashkim Ameti publikoi raportin e gjendjes së ajrit, raport ky që vërtetoi se Jugohrom ka qenë një ndër ndotësit më të mëdhenj të rajonit të Pollogut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button