Site icon PORTALB

Zoran Zaev publikoi raportin e punës njëvjeçare të Qeverisë, ja cilat ndryshime u bënë për 365 ditë (VIDEO)

Kryeministri dhe ministrat e Republikës së Maqedonisë

Me “365 ndryshime, në 365 ditë. Çdo ditë Maqedonia ndryshon për të mirë”, kryemininistri i Maqedonisë, Zoran Zaev, i shoqëruar nga ministrat, sot prazantoi raportin e punës njëvjeçare të Qeverisë së Maqedonisë, raporton Portalb.mk.

Raportin e punës 1-vjeçare në gjuhën maqedonase mund ta gjeni: KËTU.

LEXO: Raporti i Qeverisë vetëm në maqedonisht, ende s’është përkthyer në shqip

Si një nga ndryshimet, në të cilat kryeministri Zaev foli më shumë dhe më gjatë, ishte, siç e cilësoi ai, miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve, edhe pse raportin e punës njëvjeçare të Qeverisë së Maqedonisë, nuk e ka të përkthyer as në gjuhën shqipe.

 “Një shoqëri për të gjithë, një shtëpi për të gjithë. S’ka më revanshizëm. S’ka ndarje partiake. S’ka ndarje etnike. Në këtë mënyrë e propozuam ligjin për përdorimin e gjuhëve, i cili do të zgjerojë përdorimin e gjuhës të cilën e flasin më së paku 20 për qind i qytetarëve, në përputhshmëri me kushtetutën dhe amendamentin 5. Ligji u mundëson qytetarëve të komunikojnë me institucionet shtetërore, në gjuhën e tyre amtare, dhe me këtë, edhe më lehtë dhe në mënyrë më efikase t’i realizojnë të drejtat e tyre kushtetuese. Ligji garanton edhe përdorimin adekuat të gjuhës maqedonase, por edhe të gjuhëve tjera, të cilat janë në përdorim zyrtar, në disa njësi të qeverisje lokale. Unë jam i sigurt, se ajo çfarë ofrohet në Republikën e Maqedonisë, është shoqëri e të gjithëve”, tha Zaev duke folur për ligjin e gjuhëve, i cili ishte prioritet i koalicionit qeveritar LSDM -BDI.

LEXO: Zaev: Te Porta Triumfale së shpejti do të vendoset numëratori i borxhit publik

Në fushën e ekonomisë, kryeministri Zaev si ndër ndryshimet kryesore e cilësoi rritjen e rrogës minimale dhe mesatare, heqjen e taksës radiodifuzive si dhe përkrahjen financiare që iu dha ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

“Kemi ndryshuar kursin ekonomik të shtetit. Maqedonia është shtet i rritjes së pagave. Më shumë para shkojnë për qytetarët, për jetë më të mirë”, tha Zaev duke numëruar ndryshimet siç qëndrojnë më poshtë.

“Ne jemi caktuar për projekte reale që mundësojnë rritje ekonomike, e jo për përmendore dhe fasada. Dhe kjo është ndryshimi”, tha Zaev.

Fusha e shëndetësisë është fusha me më së paku ndryshime.

Koço Angushev, Nikolla Dimitrov, Kreshnik Bekteshi, Venko Filipçe dhe Mila Carovska

Në fushën e sigurisë, kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev tha: “Duke shtuar sigurinë te qytetarët, ne rrisim besimin”, me çka veçoi ligjin për Drejtori për Siguri dhe Kundërzbulim dhe vënien në funksion të mekanizmit kontrollues të punës së policisë.

Në fushën e arsimit, Zaev tha:  “Arsim, në të cilin mësohet” dhe numëroi ligjet e miratuara, që sipas tij, efektet ndihen menjëherë nga nxënësit, arsimtarët dhe prindërit.

Zoran Zaev

Në fushën sociale, Qeveria e Maqedonisë për një vit ka arritur të fus në fuqi ligjin për falimentues dhe të realizojë 300 punësime të reja në qendra sociale dhe çerdhe.

Në fushën e infrastrukturës dhe ujësjellësit e kanalizimit, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev e paraqiti si tërësisht funksional korridorin 10, njoftoi se do të ndërtohen 800 kilometra për rrugë të shpejta, dhe se 24 komunave do t’ju sigurohet ujësjellës dhe kanalizim.

Gazetarë duke raportuar për punën e Qeverisë së Maqedonisë

LEXO: Zaev premton se do ta heqin gardhin rreth ndërtesës së Qeverisë

Në fushën e transparencës institucionale, kryeministri Zaev tha: “Qeveri e hapur, në vend të një qeverie e cila fsheh”, e ndërkaq për fushën mediale, ai tha: “Përherë të parë, pas një dekade, punëtorët medial janë liruar nga trysnitë, në vend të sulmeve brutale ndaj tyre”.

Në fushën e administratës publike janë këto ndryshime:

U tha gjithashtu se në fushën e rruajtjes së trashëgimisë kulturore, Qeveria e Maqedonisë arriti të mbajë Ohrin nën mbrojtjen e UNESCO-s.

LEXO: Referendum në vjeshtë, Zaev nuk e zbulon përcaktuesin për emrin

U përmend edhe procesi i zgjidhjes së çështjes së emrit Maqedoni – Greqi, ku kryeministri Zaev deklaroi: “Jemi duke u përpjekur që të ruajmë identitetin” me çka përsëriti qëndrimin se do të ketë referendum.

Kryeministri dhe ministrat e Republikës së Maqedonisë gjatë prezantimit të raportit të punës 1-vjeçare të Qeverisë së Maqedonisë

LEXO: Deklarohen dy Lëvizjet BESA për funksionimin e tyre në Kuvend
LEXO: Maqedoni, është caktuar data kur do të votohen ministrat e rinj

Përndryshe, pas një viti ndryshim të pushtetit në Maqedoni, rënies së Nikolla Gruevskit të VMRO-DPMNE-së dhe ardhjes në së Zoran Zaevit të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, të premten, më 1 qershor do të ndodhin edhe ndryshime në të.

Fillimisht, si koalicion qeveritar ishin LSDM, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët. Por pas gjashtë muajve, ASH-ja doli nga qeveria dhe po aq kohë zgjatën edhe bisedimet për futjen e subjekteve të tjera politike në Qeveri.

Nëse më 1 qershor të 2018-s votohen emrat e rinj të ministrave dhe zëvendësministrave, pjesë e Qeverisë zyrtarisht do të bëhen: LSDM, BDI, Lëvizja BESA me kryetar Afrim Gashi, PDSH me kryetar Menduh Thaçi, Lidhja e Romëve me kryetar Amdi Bajram si dhe partia e Turqve.

Exit mobile version